Borxhet e Bashkive arriten ne 54 mln euro ne 2018, 26.9 per qind me pak se ne 2017
Stoku i detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor në fund të vitit 2018 shënoi rreth 6.8 miliardë lekë.
Krahasuar me fundin e vitit 2017, stoku aktual rezulton të jetë ngushtuar me rreth 2.4 miliardë lekë, ose me rreth 26.9%. Sipas të dhënave në lidhje me administrimin financiar të Bashkive të azhurnuara nga Co Plan kontributin kryesor në tkurrjen e detyrimeve të prapambetura e dhanë bashkitë Tiranë, Selenicë, Korçë dhe Përrenjas. Në të kundërt, rreth 54.1% e bashkive (ose rreth 34 bashki) rezultojnë të kenë rritur stokun e detyrimeve të prapambetura në fund të vitit 2018 krahasuar me nivelin e tij në fund të vitit 2017. Rritje e qenësishme vihet re në bashkitë Kamëz, Dibër, Bulqizë Mat, Mirditë, dhe Ura Vajgurore. Në nivel bashkie, rreth 68.3% e stokut të detyrimeve të prapambetura mbartet nga 10 bashki. Nivelin maksimal te detyrimeve të prapambetura e ka bashkia Tiranë me rreth 2.0 miliardë lekë, ose 29.5% ndaj stokut total në fund të vitit 2018.
Bashkia Pogradec renditet e dyta për nga niveli i detyrimeve të prapambetura, me rreth 417.4 milionë lekë, ose rreth 6.2% ndaj totalit. Në të kundërt, bashkitë Këlcyrë dhe Shijak kanë stokun më të ulët të detyrimeve të prapambetura për periudhën e konsideruar. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në fund të vitit 2015, stoku i detyrimeve të prapambetura ishte rreth 11.8 miliardë lekë, vlerë kjo shqetësuese si në nivel vendor ashtu dhe në nivel qendror. Shlyerja u këtyre detyrimeve, pjesërisht të krijuara nga ish-komunat që iu bashkëngjitën bashkive të reja në vijim të reformës administrative dhe territoriale përbën barrë të qenësishme për buxhetet vendore. Në këtë kuadër, qeveria qendrore merr përsipër vetëm “shlyerjen e detyrimeve për punimet e kryera, por të papaguara në kuadër të financimeve nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, si edhe transfertat për përfitimet e paaftësisë. Të gjitha detyrimet e tjera financiare të njësive të qeverisjes vendore, që nuk përfshihen në sa më sipër, duhet të parashikohen në vetë buxhetet e njësive të qeverisjes vendore./Monitor