Secondary Adv

Vijon situata e renduar nga permbytjet ne jug, ne veri hapen portat e Shkopetit e Ulzes

 

Sipërfaqe të tëra toke rezultojnë nën ujë dhe në ditën e 7 të përmbytjeve në jug të vendit, ndërsa moti i keq favorizon përkeqësimin e situatës.


Reshjet e shumta të shiut vijojnë prej orësh pa pushim ndërsa familje të tëra janë evakuuar nga zonat e pushtuara nga uji. Fieri, Berati, Vlora, Gjirokastra, Përmeti janë ende nën thundrën e motit të keq me stuhi, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Banorët ankohen se pasuria e tyre e vetme, shtëpia, të mbjellat dhe bagëtia i mori lumi.  Perkeqesohet situata dhe ne Durres ku rruget jane permbytur ndersa ne rezervuarin e Manskurise se Kavajes vijon rreziku per carjen e diges.

 


Lajmi tjeter i keq vjen nga veriu i vendit ku per shkak te rritjes se nivelit te ujrave, dy HEC-e kane hapur portat dhe kane nisur shkarkimet. Mijëra banorë kanë kërkuar ndihmë në ushqime për vete dhe bagëtitë. Por bashkë me banorët që “lundrojnë” mes ujit dhe halleve, të pranishëm për t’u ardhur në ndihmë janë edhe mijëra forca të ushtrisë, policisë, pushtetit lokal por edhe të punonjësve të emergjencave civile.
Në shumë fshatra të prekura shkollat janë mbyllur, ndërsa është ndërprerë për siguri energjia elektrike. Autoritetet bëjnë thirrje për moskonsumim të ujit nga rubinetat pasi ndodtja është masive. Grupe pune nga ministria e Bujqësisë po punojnë për dizifenktimin e stallave dhe pularive me bagëti e pula të ngordhura, kurse grupe të tjera po shpërndajnë ushqime.


Sipas parashikimit, moti i keq me shi dhe erë do të vijojë deri në datën 10 Shkurt, dhe pas kësaj dite, dielli do të shkëlqejë, por temperaturat do të bien ndjeshëm, deri në -6 gradë Celsius.


Përmbytjet në Elbasan
Reshjet e ditëve të fundit kanë provokuar situatë të rëndë në të gjithë qarkun e Elbasanit. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar përmbytje, rrëshqitje, shembje, bllokime të cilat kanë sjellë dhe vazhdojnë të sjellin pasoja për banorët e komunitetit.
Pesha më e madhe këto ditë i ka rënë Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale. Edhe pse me fonde, fuqi punëtore dhe mjete të kufizuara, kjo ndërmarrje po punon 24 orë për të minimizuar dëmet dhe për të lehtësuar jetën e komunitetit.


Sipas kryeinxhinierit Petrit Shkurti “ në bashkëpunim me Këshillin e Qarkut dhe Prefekturën janë ngritur grupet e punës që operojnë në terren. Ndërhyrjet janë përqëndruar në pikat më problematike sidomos në zonat e thalla malore në Elbasan, Librazhd dhe Gramsh si në Polis, Lunik, Rrajcë, Funar, Zavalinë, Gjinar, Kukër, Skëndërbegas, Tunjë. Për shkak të specifikës së dëmtimeve preçedencë më e madhe i është dhënë Gramshit”.
Në vijim Shkurti shton se “aktualisht të gjitha akset janë të hapura me përjashtim të dy akseve në Kukër dhe në Kushovë si pasojë e shembjes së urave. Në këto pika është ndërhyrë për të siguruar një kalim të provizor pasi riparimi definitiv kërkon kohë. Ka interes nga komuna nga këshilli i qarkut dhe prefektura ku janë dërguar mjete. Por reshjet e shiut dhe prurjet pengojnë”.


Kryeinxhinieri ka kërkuar mirëkuptimin e komunitetit pasi fatkeqësitë natyrore është e pamundur që të përballohen për një ditë. Por sipas tij në të ardhmen po sigurohen projekte që të kthehet normaliteti. Sakaq dhjetra banesa të kateve të para të lagjes “ Dyli Haxhire” në rrugën “ Naim Cerraga”, në Elbasan janë përmbytur ku dhjetra familje u izoluan gjatë paradites, madje, prindërit për të qenë të sigurtë nuk i kanë çuar fëmijët e tyre në shkollë për shkak të izolimit të banesave. Nga vërshimi i ujit lartësia e të cilit në disa vende shkon 20-40 cm, sipas banorëve është një problem mjaft i madh, pasi sipas tyre që prej vitit 2007 të gjitha banesat përgjatë kësaj rruge përmbyten edhe kur sasia e reshjeve është e vogel. Ndërsa kur reshjet janë të dendura rreziku bëhet mjaft i madh.

 


Për të evituar pasojat që krijohen nga mbizotërimi i motit të keq banorët shprehen se duhet vetëm ndërtimi i rrjetit të kanaleve kulluese dhe rikonstruksioni i rrugës, dhe ky shqetësim i tyre merr fund një herë e përgjithmonë. Mësohet se në disa lagje të fshatrave të komunave Stëblevë dhe Qukës janë pa energji elektrike, por specialist të OSHEE po punojnë për restaurimin e shtyllave elektrike të dëmtuara si pasojë e reshjeve të shiut dhe dëborës.
Panariti: Priten shira deri në 11 shkurt, në rrezik jo vetëm jugu por edhe veriu
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti jep alarmin se edhe veriu i vendit kërcënohet nga përmbytjet. Në një konferencë për mediat, ministri Panariti tha se parashikimet e motit nuk janë të favorshme, pasi pritet të ketë reshje shiu të paktën deri në datën 11 shkurt.
“Kjo ishte një fatkeqësi natyrore. Sensibilizim për popullatën që jeton në ato zona. Në rrezik nuk është vetëm jugu por dhe veriu”- deklaroi Panariti. Sipas ministrit, banorët e prekur nga përmbytjet do të dëmshpërblehen për çdo humbje. Ministri i Bujqësisë theksoi nevojën e pastrimit të lumenjve nga ndërtimet pa leje, të cilat kanë bllokuar kanalet kulluese.


Hapen portat e Hec-it të Shkopetit
Situata nuk duket e mirë as në veri të vendit nga prej ku vjen lajmi se janë hapur portat e HEC-eve të Shkopetit dhe Ulzes. Reshjet intensive të orëve të fundit dhe rritja e prurjeve në lumenj kanë sjellë nisjen e shkarkimeve në hidrocentralet e Ulzës dhe Shkopetit në zonën e Matit.  Shkarkimet e kontrolluara nga HEC-i i Shkopetit konfirmohen edhe nga prefekti i qarkut të Lezhës Ndrec Deda, sipas të cilit ato kryhen në masën 300 metërkub /për sekondë.
Ai konfirmon se prurjet janë të mëdha, e megjithatë situata për momentin është nën kontroll, duke konfirmuar se kjo situatë nuk përbën rrezik për zonën e Tales. Deda ka deklaruar se janë njoftuar drejtuesit e njesive vendor që të qëndrojnë në gatishmëri, po ashtu edhe policia e gjithë strukturat përkatëse. Por një tjetër faktor që ndikon në rritjen e nivelit në Shkopët, është shkarkimi që gjithashtu ka nisur të kryhet nga hidrocentrali i Ulzës. Burime nga ky HEC bëjnë me dije se shkarkimet po kryhen në masën 250 metërkub ujë për sekondë. Ndërkaq konfirmohet se janë hapur gjithashtu portat e Hidrocentralit të Spilesë në Maqedoni.


Rrugët nën ujë në Elbasan, dhjetra familje izolohen
Përmbytja e rrugës kryesore në lagjen “Dyli e Haxhire” në qytetin e Elbasanit ka izoluar dhjetëra familje dhe ka shkaktuar edhe përmbytjen e banesave të tyre. Një pjese e fëmijëve të kësaj lagjeje nuk kanë mundur të shkojnë në shkolle për shkak të izolimit të banesave të tyre nga vërshimi i ujit lartësia e të cilit në disa vende shkon 20-40 cm. Përmbytja e rrugës “Naim Çërraga” sipas banorëve është një shqetësim i përhershëm i tyre. Që prej vitit 2007 të gjitha banesat përgjatë kësaj rruge përmbyten edhe kur sasia e reshjeve është e vogël. Ndërsa kur reshjet janë të dendura rreziku bëhet mjaft i madh.


Përmbyten disa rrugë në Durrës, bllokohet trafiku
Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar probleme në rrugët e Durrësit. Për pasojë në disa rrugë ka patur prezencë të lartë uji duke u bërë të pakalueshme për këmbësorët e duke sjellë edhe bllokim të trafikut. Problemet janë vënë re në rrugët  “Skënderbej”, “Aleksandër Goga”,  shëtiroren “Taulantja” pranë stadiumit etj, zona këto që kanë problem me rrjetin e nëndheshëm të kanalizimeve. Si pasojë e punimeve që bëhen në qendër të Durrësit, trafiku është bllokuar tërësisht dhe për të  normalizuar situatën është vendosur që të hapet edhe rruga e portit për qarkullimin e automjeteve. Edhe në rrugët nacionale që lidhin Durrësin me Tiranën dhe Kavajën është vënë re trafik i rënduar për shkak të lagështirës se madhe dhe motit të keq. Ndërkaq në port nuk janë vënë re problematika dhe tragetet kanë mbërritur sipas parashikimeve në orar.


Rreziku i carjes së digës, FSK dhe FA shkarkime  nga rezervuzri i Manskurisë
Së bashku me forcat e ushtrisë shqiptare në rezervuarin e Manskurisë në Kavajë kanë mbërritur edhe një ekip nga Forcat e sigurisë së Kosovës. Ato kanë sjellë një pompë të fuqishme për shkarkimin e ujit të këtij rezervuari. Prefekti i Kavajës, Xhevat Haliti në një komunikim për Neës24 tha se edhe gjatë ditës së sotme vijon shkarkimi i kontrolluar i ujit të rezervuarit në masën 900 litra për sekondë. “Nuk ka problematikë përmbytjesh për shkak të shkarkimit të kontrolluar, por presim që të mbërrijë edhe një tjetër pompë shkarkuese nga Kosova për të ulur akoma nivelit e ujit të rezervuarit. Forcat e ushtrisë shqiptare dhe të Kosovës po punojnë për shkarkimin e ujit, ndërsa situata është e njëjtë me ato të ditëve më parë”, tha Haliti. Disa ditë më parë u vërejt një gropë e hapur pak metra larg digës 2 metra e thelë dhe 2.5 metra e gjerë.


Kjo bëri që të gjitha strukturat e shtetit të alarmohen për shkak  të rrezikut të çarjes së digës, çka do të sillte pasoja katastrofike të paparashikueshme, sepse rezervuari ka mesatarisht 8 milion metra kub ujë. Për të shmangur një situatë të tillë po bëhet shkarkimi i rezervuarit që përdoret për furnizimin me ujë të pijshëm të Kavajës zonës bregdetare deri në plazhin e Durrësit./Balkanweb


Më të lexuarat