Secondary Adv

Anketa e BSH: Ndermarrjet mikro ne veshtiresi, 53 perqind e tyre renie te fitimeve

Konkurrenca, gjetja e tregjeve të reja, borxhet e pashlyera dhe aksesi në financim janë problemet e ndërmarrjeve mikro, që kanë ndikuar veprimtarinë e tyre.

 

Kjo është një nga gjetjet kryesore të vrojtimin për gjendjen financiare dhe huamarrëse të ndërmarrjeve mikro në Shqipipëri. Studimi gjeti se më shumë se gjysma e bizneseve të anketuara raportojnë rënie të shitjeve dhe fitimeve, teksa Banka e Shqipërisë evidenton rolin e rëndësishëm që ndërmarrjet mikro kanë në terma të punësimit, vlerës së shtuar dhe ekonomisë në tërësi. Të dhënat e vrojtimit tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, aktiviteti i tyre dhe situata financiare paraqitet si në vijim: 53% e ndërmarrjeve mikro (1-4 të punësuar) pohojnë se shitjet e tyre janë ulur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017, 36% pohojnë se shitjet kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 11% e ndërmarrjeve pohojnë se shitjet janë rritur. Të pyetur mbi pritjet e tyre gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2017, 42% e ndërmarrjeve mikro presin që shitjet të ngelin të pandryshuara, 37% presin që shitjet e tyre do të rriten, dhe 21% pohojnë se shitjet do të ulen.

 

Përsa i përket rezultatit financiar, gjatë gjashtëmujorittë parë të 2017, 50% e ndërmarrjeve pohojnë se ai është ulur, 39% shprehen se ka mbetur i pandryshuar dhe 11% shprehen serezultati financiar është rritur. Ndërsa gjatë gjashtëmujorit të dytë të2017, 43% e ndërmarrjeve presin që rezultati financiar të mbetet ipandryshuar, 40% e tyre presin rritje të rezultatit financiar dhe 18% presin që rezultati financiar të ulet. Në lidhje me zgjerimin (apo jo) të aktivitetit (apo të investimeve) paraqitur në Grafikun 5, 83% e ndërmarrjeve pohojnë se as nuk e kanë ndryshuar aktivitetin (apo investimet) gjatë gjashtëmujorit të parë të 2017 dhe as nuk presin që do të ndryshojë gjatë gjashtëmujorit në vazhdim. Sipas gjetjeve të tjera studimit, burimi kryesor i financimit të ndërmarrjeve mikro janë shitjet dhe fondet e veta, ndërsa huaja ka një peshë të vogël. Vetëm 26% e ndërmarrjeve mikro kanë një hua për të paguar, ndërsa 76% e tyre raportojnë se nuk kanë. 53% e ndërmarrjeve që kanë marrë hua, e kanë marrë nga bankat, ndërsa 34% e tyre e kanë marrë huanë nga një person fizik.

 

Huaja e marrë është përdorur më së shumti për të përballuar shpenzimet korrente të tyre (73% e ndërmarrjeve) dhe 41% janë shprehur se e kanë përdorur për të bërë një investim afatgjatë. 55% e ndërmarrjeve shprehen se përgjithësisht nuk kanë vendosur një kolateral për huanë e marrë. Ndërsa ato që kanë vendosur një pasuri të patundshme (51% e ndërmarrjeve) kanë pohuar se vlera e kolateralit është nën 100% të vlerës së huasë. Barra e huasë (për 55% e ndërmarrjeve) është sa 20% e totalit të të ardhurave, ndërsa për 33% të ndërmarrjeve luhatet në nivelin e 20-50% e të ardhurave. Për 12% të ndërmarrjeve barra e huasë është mbi nivelin e 50-80% të totalit të ardhurave. Përgjithësisht, barra e huasë vlerësohet relativisht e shtrenjtë. Në lidhje me rëndësinë që kanë bankat për ndërmarrjet mikro, 60% e tyre vlerësojnë se ato (bankat) janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për ecurinë e veprimtarisë së tyre.

 

Ky raport paraqet një përmbledhje të rezultateve të marra nga Vrojtimi mbi Gjendjen Financiare dhe Huamarrëse të Ndërmarrjeve Mikro, që kanë 1 deri 4 të punësuar, në lidhje me aksesin në financim, si dhe situatën financiare të këtyre ndërmarrjeve. Kjo anketë u realizua për herë të parë në qershor të vitit 2017, nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me INSTAT-in, dhe synon të jape një vështrim të përgjithshëm mbi situatën financiare të ndërmarrjeve mikro (1-4 të punësuar), si dhe duke plotësuar informacionin mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha që prej vitit 2010 janë pjesë e këtij vrojtimi. Në këtë vrojtim u anketuan gjithsej 2,304 ndërmarrje mikro, të përzgjedhura në mënyrë rastësore nga INSTAT, duke na dhënë një pamje të plotë për ndërmarrjet mikro në Shqipëri, gjatë gjashtëmujorit të parë të 2017, që operojnë në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe shërbimeve./Monitor 


Më të lexuarat