Vrojtimi i BSH: 95 per qind e familjeve kane prona, vetem 43 per qind pasuri financiare
Vrojtimi periodik i BSH për gjendjen financiare të familjeve tregoi se në 2018 pothuajse gjysma e familjeve nuk kishte asnjë aset në formë instrumenti kursimesh.
Pasuria financiare nënkupton llogaritë dhe depozitat bankare, letrat e borxhit të qeverisë, si edhe kuotat në fondet e investimit apo të pensioneve. Në një këndvështrim, ky mund të jetë një indikator, sigurisht jo absolut, i pabarazisë në shoqërinë shqiptare. Edhe statistikat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregojnë përqendrim të konsiderueshëm të pasurisë financiare, me 91 mijë individë që ndajnë rreth 4.1 miliardë lekë depozita bankare. Por, nga ana tjetër, që ajo bie në sy është përqindja e lartë e familjeve që kanë në pronësi të paktën një pasuri të paluajtshme, që arrin në 95% të totalit të kampionit të anketuar.
3% e numrit total të familjeve deklarojnë se zotërojnë më shumë se dy prona, ndërsa vetëm 2% deklarojnë se nuk kanë asnjë pasuri të paluajtshme. Këto shifra tregojnë se në mentalitetin e shoqërisë shqiptare prirja për të pasur një pronë, sidomos shtëpi, në zotërim ngelet dominuese. Vrojtimi për gjendjen financiare të familjeve kryhet me frekuencë 6-mujore në një kampion prej afërsisht 1200 familjesh. Në tërësi, vrojtimi për gjysmën e dytë të vitit të kaluar tregoi se oreksi i familjeve dhe bizneseve shqiptare për huamarrje ngelet i vogël. 63% e familjeve dhe 50% e bizneseve deklaruan se nuk kishin në plan të merrnin borxh në të ardhmen e afërt. Ky është një tregues i faktit se kërkesa për kredi në ekonominë shqiptare është e moderuar dhe se problemet e huadhënies nuk lidhen vetëm me shtrëngimet në kahun e ofertës./Scan