OSHEE fal 54 mije fatura energjie te papaguara, ja kush perfiton
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të fshijë nga sistemi i tij rreth 54 mijë fatura të papaguara të energjisë elektrike.
Ky vendim i OSHEE-së është marrë në zbatim të dy vendimeve të Entit Rregullator të Energjisë, që i anuloi katër vjet më parë. Në një deklaratë për mediat, administratori i OSHEE-së, Ardian Çela theksoi se faturat që do të fshihen nga sistemi janë fatura që kanë të cilësuar në faturim “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”, dhe i përkasin periudhës kohore tetor 2008-prill 2011. Kreu i OSHEE-së përfitoi nga rasti për t’u bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë marrëveshjet e pagesave me këste. Sipas Çelës, në masën më të madhe, këto fatura rezultojnë të papaguara nga ana e qytetarëve dhe sipas tij do të çohet deri në fund kërkesa e ERE për ta hequr këtë detyrim nga qytetarët. Ai tha se bëhet fjalë për vendimin me numër 90 të vitit 2010 dhe që përfshin 51 500 fatura që kanë të cilësuar në faturim “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”. Të gjitha këto fatura të lëshuara nga CEZ në atë kohë kishin shuma të fryra, duke tejkaluar mesataren mujore të konsumit të qytetarëve. Po kështu, grupit i shtohen edhe mbifaturime aforfe të kthyera nga ERE që në total e çojnë numrin në 54 mijë.
Çela tha se nga analiza që u është bërë faturimeve rezulton që shumica nuk e kanë paguar këtë detyrim, por që për çdo rast që mund të ketë pasur ngatërresë apo pagesë, do të ketë trajtim specifik për të gjetur edhe zgjidhjen optimale për palët. Gjithsesi, administratori i OSHEEsë vë theksin se këto do të jenë të vetmet fatura që do të hiqen nga sistemi. Për rastet e tjera kur konsumatorët janë debitorë, do të procedohet me arkëtimin e detyrimit në zbatim të strategjisë që po zbatohet për gjithë sektorin.
Kush përfiton? Janë 54 mijë fatura që do të hiqen nga qendrat e kujdesit ndaj klientëve të OSHEE në të gjithë vendin. Operatori ka publikuar në faqen e tij listën e atyre që përfitojnë nga vendimi i ERE-s, i vitit 2010. Të interesuarit mund ta kërkojnë këtë përmes numrit të tyre të kontratës të hedhur online nga OSHEE. Faturat që do të fshihen kanë një specifikë: kanë të cilësuar “dëm ekonomik” dhe “energji të pamatur”. Por edhe pse kështu mund të ketë me qindra-mijëra, nga sistemi do të hiqen vetëm ato që janë ankimuar. Pra vetëm ata që kanë trokitur në derën e ERE për të denoncuar faturimin si abuziv. Nisur nga fakti që CEZ nisi mbifaturimet në masë në 2010- n, ERE do të quante të paligjshme 51 500 fatura të ankimuara pranë tij. Më vonë, edhe 2400 të tjera. Në total janë 54 mijë fatura, të cilat nuk do të rezultojnë më si detyrim për t’u paguar.