Fondi 4.5 mln dollare per punesimin, hapen aplikimet per bizneset
Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka hapur procedurat e aplikimit për përfitimin nga fondi i punësimit prej 4.5 milion dollarësh të akorduar nga qeveria për vitin 2015.
Afati për të aplikuar për bizneset është data 9. 2. 2015 deri më 6.3 2015. Skema e përthithjes së fondeve është e njëjtë me atë të vitit 2014, dhe lajmi i mirë është që nuk do të ketë përjashtim për bizneset që kanë qenë përfituese. E reja e këtij viti është se prioritet do të kenë edhe bizneset që punësojnë persona me aftësi të kufizuara, politikë e qeverisë kjo, që synon të integrojë këtë kategori në tregun e punës. Aplikimi i bizneseve bëhet duke u drejtuar drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore të punësimit. Për vitin që lamë pas, rreth 350 biznese kanë përfituar nga fondi për nxitjen e punësimit prej 2.7 milion dollarësh.
Aplikimet kanë filluar në muajin Prill 2014 dhe nëpërmjet konkurrimit të hapur dhe sitstemit të pikëzimi, u shpallën edhe sipërmarrjet fituese. Mbështetja e bizneseve me këtë fond ka sjellë efekte direkte, duke punësuar rreth 3300 të papunë. Shpërndarja e parave për bizneset përfituese bëhet me këste dhe shkon për 4 paga të paguara nga shteti në masën e pagës minimale dhe sigurimet shoqërore për një vit për çdo individ të punësuar. Fondi është shpërndarë në biznese të ndryshme, por ato që kanë pasur më shumë përparësi janë industria me material të porositur si dhe industrtitë e prodhimim-përpunimit.
Fasonët do kenë sërish përparësi këtë vit pasi nga tatimi që paguajnë ata prej 15 për qind, 5 për qind e tij ruhet në një fond të veçantë për tu përdorur për punësimin e shtresave në nevojë, kryesisht grave dhe vajzave, të rinjve dhe grupeve vulnerabël. Ndërkohë prioritet do të kenë edhe zonat e pazhvilluara, si ato veriore të vendit, për shkak se papunësia është më e lartë.