Strukturat akomoduese qe operojne online nen monitorim - DPT u ben thirrje te shlyejne detyrimet
Çdo vit në prag të sezonit turistik, Administrata Tatimore i kushton vëmendje të veçantë bizneseve që operojnë online të paregjistruara.
Gjatë periudhës 15 – 26 prill 2019, janë identifikuar 564 subjekte në rang kombëtar, të cilët ofrojnë struktura akomoduese, nëpërmjet platformave online si Booking.com, Air Bnb, etj. “Ju kujtojmë se informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga administrata tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ndërkohë sportelet e Shërbimit të tatimpaguesve në të gjithë vendin, ofrojnë informacionin dhe asistencën e duhur, për kategoritë e individëve dhe subjekteve të sipërpërmendura” njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në faqen e vet zyrtare. Administrat tatimore vazhdon informimin sensibilizues dhe i bën thirrje të gjitha subjekteve dhe individëve të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të paguajnë detyrimet./Monitor