Shumë shpejt do të nisë puna në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit për realizimin e projektit më të madh rajonal, atij gazsjellës, TAP. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit të ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri me drejtorin aktual dhe menaxhues të projektit TAP AG, Kjetil Tungland, dhe drejtorn e ri menaxhues të projektit Ian Bradshaw.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi të hënën një takim me drejtorin aktual menaxhues të projektit TAP AG, Kjetil Tunglan dhe drejtorin e ri menaxhues të Projektit TAP, Ian Bradshaw. Gjatë këtij takimi u diskutua ecuria e deri tanishme e projektit TAP, dhe hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e projektit. Shumë shpejt pritet të nisë dhe puna në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.
Ministri Gjiknuri shprehu edhe njëherë gatishmërinë e palës shqiptare për të mbështetur realizimin e këtij projekti duke synuar njëkohësisht maksimalizimin e përftimeve ekonomike të vendit tonë, nga kalimi i këtij gazsjellësi.
Ministri i njohu drejtuesit e TAP-it për masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria edhe sa i takon çështjes së gazifikimit të vendit. Gjiknuri tha se tanimë është siguruar fondi dhe po punohet për masterplanin e gazit në Shqipëri, ndërsa në bashkëpunim me qeverinë e Azerbaxhanit dhe kompaninë shtetërore të naftës SOCAR do të mundësohet hartimi i studimit të fizibilitetit. Drejtorët e TAP-it vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare dhe konkretisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, në drejtim të përmbushjes së detyrimeve reciproke.