Secondary Adv

Inceneratori i Tiranes: Nje tjeter landfill do ndertohet, do trajtoje mbetjet e rrezikshme

Shoqëria që ka fituar koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV, ka paraqitur para autoriteteve një vlerësim të ndikimit në mjedis për një pjesë të projektit.

 

Ky landfill është një nënprojekt i projektit kompleks që ka në objekt koncesioni “Për ndërtimin e landfillit, incineratorit dhe rehabilitimin e vendepozitimeve ekzistuese Tiranë, si dhe prodhimin e energjisë elektrike”. Referuar dokumenteve thuhet se është e nevojshme që të krijohet një landfill për mbetjet e rrezikshme pasi kjo nuk ekzistonte më herët. Sipas kompanisë nga zbatimi i projektit, do të përfitojnë të gjitha Njësitë Vendore të Qarkut Tiranë, të cilat bashkërisht përfaqësojnë Zonën 1 të Mbetjeve, siç përcaktohet në Strategjinë Kombëtare të Menaxhimit të Mbetjeve por edhe me gjerë pasi në Shqipëri ende nuk është ndërtuar një Landfilld i mbetjeve të rrezikshme.“Menaxhimi i mbetjeve konsistonte kryesisht në grumbullimin, transportin dhe depozitimin në fushën e mbetjeve Sharre, ku deri perpara 6 muajve mbetjet nuk kontrolloheshin përpara pranimit dhe në këtë vendepozitim përfundonin edhe mbetje të rrezikshme së bashku me mbetjet urbane. Situata aktuale problematike e ka kthyer në nevojë emergjente zgjidhjen përfundimtare të menaxhimit të mbetjeve urbane në qarkun e Tiranës. 

 

Mungesa e sistemeve moderne dhe sanitare për trajtimin e mbetjeveurbane dhe atyre inerte, ka sjellë një problematikë serioze në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Objekt i këtij nenprojekti është ndërtimi i një qelize të vecantë landfillimi të mbetjeve të rrezikshme, jo radioaktive, i cili është pjesë integrale e kontratës koncensionare nr. 6997 datë 31.08.2017 “Për ndërtimin e landfillit, incineratorit dhe rehabilitimin e vendepozitimeve ekzistuese Tiranë, si dhe prodhimin e energjisë elektrike’ – Zona e Trajtimit të Mbetjeve Tiranë” thuhet në dokumentet e kompanisë paraqitur pranë insitucioneve. Kompania sqaron se sipërfaqja ku do të ndërtohet Landfilli i mbetjeve te rrezikshme, jo radioaktive është pjesë e Bashkisë Tiranë, Njësia Administrative Vaqarr, Zona Kadastrale nr. 3321. “Zona e propozuar për realizimin e Landfillit të mbetjeve te rrezikshme, jo radioaktive zë një sipërfaqe prej 20,890 m2, dhe ndodhet ngjitur me dy instalimet e Inceneratoreve te mbetjeve urbane. Terreni është fushoro – kodrinor, me ngastra toke pjesërisht të papërdorura dhe pjesërisht të kultivuara. Zona ka një pjerrësi të përgjithshme të ulët në drejtim të jug-perëndimit dhe karakterizohet nga prania e dy rezervuarëve të vegjël” sqaron kompania.

 

Koncesioni për inceneratorin

Inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar në vitin 2017 në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV, kompania zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë. Kompania fitoi në garën për koncesionin e nderimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH. Afati i koncesionit është 30 vjet. Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë ku i pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekë tashmë në gjendje pune, i dyti inceneratori i Fierit me një kosto 3.97 miliardë lekë./Monitor


Më të lexuarat