Secondary Adv

Bashkia e Tiranes ne 2018: Bum lejesh ndertimi, te ardhura rekord nga taksa e infrastruktures

Bashkia e Tiranës ka siguruar nga fondet e veta dhe nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara rreth 21.6 miliardë lekë të ardhura, ose 173 milionë euro në 2018. 

 

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat totale të bashkisë janë rritur me 30%, ndërsa në raport me vitin 2015, janë më se dyfishuar, duke qenë 130% më të larta. Nga të ardhurat e veta, që mbledh nga taksat dhe tarifat, Bashkia ka arkëtuar 13.1 miliardë lekë, me një rritje prej 32% në raport me 2017-n, duke përbërë 60.6% të totalit të të ardhurave që bashkia ka pasur në dispozicion gjatë 2018-s (41% nga taksat dhe 19% nga tarifat, në raport me buxhetin total). Pjesa tjetër është siguruar nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara nga buxheti i qeverisë qendrore si dhe nga taksat e ndara, që vijnë nga regjistrimi i automjeteve dhe renta minerare, taksa e transferimit të të drejtave të pronësisë. Në raport me 2015-n, të ardhurat që Bashkia ka mbledhur nga taksat dhe tarifat pothuajse janë trefishuar. 

 

Ndikimin kryesor në këtë rritje të ndjeshme të të ardhurave e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë, gjatë tre viteve të fundit (2016-2018), kjo taksë është kthyer në kryesoren për Bashkinë e Tiranës për dy arsye, së pari nga rritja e taksës nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe së dyti, nga shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë. Në 2018-n, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta. Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë. Sipas të dhënave të INSTAT, në Tiranë, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga 231 vitin e mëparshëm. 

 

Numri i lejeve është shumë më i lartë se disa vjet më parë dhe është rekordi, të paktën që nga viti 2005. Më parë, rekordi ishte në 2010-n, me 254 leje në total. Në rritje më të fortë ka qenë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet. Për të gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ekspertët e financave vendore theksojnë se natyra e paqëndrueshme e të ardhurave nga kjo taksë (sezonaliteti dhe përqendrimi i presionit zhvillimor në një numër të kufizuar bashkish, apo qenia subjekt i politikave zhvillimore) dhe mbledhja e mbi 75% e të ardhurave prej saj në tre bashki, sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore. Zëri i dytë që pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e këtij viti (rreth 17% të totalit) është “Tarifa e pastrimit”, nga e cila janë mbledhur gati 2 miliardë lekë. 

 

Më pas renditet “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme”, nga e cila janë arkëtuar rreth 1.8 miliardë lekë. Ky zë ka dhe mosrealizimin më të lartë të planit, për vetëm 76%, për shkak se nuk u bë e mundur që të fillonte mbledhja e taksës në bazë të formulës së re mbi vlerën e pronës. Kjo metodë pritet të fillojë të aplikohet këtë vit. Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka vendosur si agjent për mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme, Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Brenda katër muajve, të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqeve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi. Si rrjedhojë për vitin 2019, Bashkia pret të arkëtojë 2.4 miliardë lekë nga kjo taksë, me rritje 35% nga fakti i këtij viti, ku shtesa më e madhe do të jetë për familjarët, që do të paguajnë më shumë se dyfishin në 2019-n dhe katër herë më shumë deri në vitin 2021 (nga 220 milionë lekë e pritshmja 2018 në 900 milionë lekë në vitin 2021). 

 

Shpenzimet, pjesa më e madhe shkon për paga dhe harxhime administrative

Rritja e të ardhurave i ka mundësuar bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime, të cilat arritën në 20 miliardë lekë në 2018-n, me një rritje prej 29% me bazë vjetore. Shpenzimet korente përbëjnë 67% të totalit, konkretisht 13.2 miliardë lekë dhe vetëm 6.7 miliardë lekë shkuan për shpenzime kapitale (nga të cilat 2 miliardë lekë për infrastrukturë, gati 3.2 miliardë lekë për shërbime publike dhe 1.2 miliardë lekë për arsimin). Në raport me një vit më parë, ndonëse ka pasur 30% më shumë të ardhura në dispozicion, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 7%, ndërsa ato administrative me gati 30%. Kjo ka bërë që pesha e shpenzimeve kapitale të zbresë në 34%, nga 38% vitin e mëparshëm. Në krahasim me vitin 2015, shpenzimet e personelit janë dyfishuar në 4.8 miliardë lekë, duke përbërë 24% të totalit./Monitor  


Më të lexuarat