Secondary Adv

Se shpejti linje hekurudhore Kosove-Shqiperi

Qeveria shqiptare ka aplikuar për fonde, për të pasur mundësinë e financimit të linjës hekurudhore Kosovë-Shqipëri. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, theksoi se prioritetet janë lidhja me Maqedoninë dhe se po koordinohet puna për lidhjet potenciale Durrës- Shkup.


Kjo u bë e ditur nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë takimit rajonal në nivel ekspertësh “Connect to Europe to Connect Europe (CECE): Upgrading railway as growth engine for SEE ”, që u mbajt të martën në Tiranë. Ministri deklaroi se promovimi dhe mbështetja e sektorit hekurudhor, kanë një rëndësi të madhe për rritjen ekonomike dhe punësimin në vend.


Haxhinasto informoi po ashtu se Shqipëria është drejt përfundimit të Kodit të ri Hekurudhor. Duke folur për transportin hekurudhor, ministri theksoi se prioritetet tona janë lidhja me Maqedoninë dhe se po koordinohet puna për lidhjet potenciale Durrës- Shkup. Kjo, tha ai, është gjithashtu në funksion të Korridorit të 8 Shqipëri-Maqedoni –Bullgari. Përveç kësaj, ministri Haxhinasto theksoi se shihet me interes edhe lidhja me Malin e Zi si dhe Kosoven.
“Në planet tona të së ardhmes, kemi qëllim lidhjen me Kosovën, prandaj kemi aplikuar se fundmi për fonde për të pasur mundësinë të financojmë këtë lidhje hekurudhore. Zhvillimet ekonomike vendase janë të rëndësishme, por nuk mund të anashkalojmë zhvillimin rajonal dhe projektet e përbashkëta, si një mjet i qëndrueshëm për lidhjet rajonale”, u shpreh Haxhinasto.


Lidhja me Evropën, vijoi ai, për të gjithë vendet e Evropës Juglindore është prioriteti kryesor kombëtar. Lidhur me këtë, ministri Haxhinasto theksoi se duhet të hiqen barrierat fizike, të punohet për standardizimin teknik dhe legjislativ rajonal dhe të përmirësohet legjislacioni.
“Kur të kemi arritur të implementojmë fizikisht këto projekte që na lidhin, do të kemi gati kornizën legjislative”, tha Haxhinasto.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të vendeve anëtare të SEECP, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Komisioni Evropian, institucione ndërkombëtare financiare dhe menaxhere projektesh nga projektet dhe iniciativat përkatëse. Vendi ynë ka marrë kryesimin në procesin e bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), për periudhën qershor 2014 – qershor 2015


Më të lexuarat