Do të hapen 1 milion vende të reja pune në Ballkanin Perëndimor dhe do të krijohet tregu i përbashkët rajonal deri në vitin 2020. Ky është objektivi i fiksuar në dokumentin me titull “The SEE 2020 Strategy” që u prezantua dje, në takimin monitorues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe të Ministrisë së Ekonomisë.
Në takimin e organizuar morën pjesë Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Goran SvilanoviÃâââ¬Â¡, sekretar i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal dhe Yngve Engström, përfaqësues i Delegacionit të BE-së në Tiranë. Sipas planit, rajoni duhet menaxhuar për të ngushtuar hendekun me BE-në në aspektin e nivelit të saj të PBB-së për frymë. Në 2020, kjo shifër duhet të arrijë mesataren europiane të BE-së, duke u rritur në 44%.
Qarkullimi i tregtisë në rajon në total duhet të dyfishohet për të arritur në 209.5 bilionë euro, nga 94, 1 bilionë euro që është aktualisht. Ndërsa tregtia brenda rajonit, që tani është 12.4 bilionë euro, parashikohet të arrijë në 30.5 bilionë euro. Sipas strategjisë, duhet të ketë një zhvendosje të eksporteve që udhëheqin rritjen ekonomike, që do të ndihmonte në ngushtimin e deficitit tregtar rajonal nga 15.7% që është aktualisht në 12.3% të PBB-së. Arritja e këtyre piketave duhet të kontribuojë në gjenerimin e 1 milion vendeve të reja pune në Europën Juglindore. Plani mbështet arritjen e fitimeve konkurruese, duke parashikuar përmirësimin e konkurrueshmërisë së mallrave të tregtueshme në Ballkanin Perëndimor. Ndër objektivat hyn edhe rritja e indeksit të qeverisjes nga 2.3 në 2.9. Ndërkohë, u prezantuan edhe rezultatet e para të studimit statistikor “Barometri i Ballkanit”, si dhe një përzgjedhje nga intervista të kryera në rrugët e Tiranës në vjeshtën e vitit 2014. SvilanoviÃâââ¬Â¡ u shpreh se, “nëpërmjet opinionit publik ne arrijmë të shohim sesa ndihet zbatimi dhe zhvillimi ekonomik i një vendi”.
Pyetjes se çfarë mund të bëjnë projektet europiane për Shqipërinë, pjesa më e madhe e shqiptarëve i është përgjigjur se këto projekte sjellin perspektivë, mbrojtje sociale, paqe e stabilitet në vend. Nga ky studim del se, shqiptarët, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, shprehin optimizëm për procesin e integrimit në BE dhe në zhvillimin e vendit në të ardhmen. Në fjalën e tij, Ahmetaj theksoi se, “Një qeveri që harron atë që qytetarët ndiejnë, atë nevojë që qytetarët kanë, është e destinuar të humbë dhe për këtë arsye qeveria jonë në axhendën e ditës ka punësimin”. Lidhur me strategjinë rajonale, Ahmetaj tha se “ne po zbatojmë dhe monitorojmë në nivel kombëtar masat e parashikuara në këtë plan veprimi”. Viti 2014, sipas Ahmetajt, ka qenë një vit i vështirë, kur qeveria shqiptare ndërmori një sërë reformash të vështira, të dhimbshme, por mbi të gjitha tejet të domosdoshme. Ahmetaj renditi reformën në energji, reformën territoriale, sigurimet shoqërore, përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformën në administratën fiskale.