Secondary Adv

Matesat inteligjente per energjine, ja zonat ku do te instalohen ne Tirane

Parandalimi i abuzimeve që kryen me energjinë elektrike është cilësuar nga qeveria “Rama” si elementi kyç për nxjerrjen e sektorit nga kolapsi i borxheve.Gjatë këtij viti, do të vendosen 155 mijë matësa të rinj të energjisë elektrike në zonën e Alliasit, Bathores, Paskuqanit dhe Yzberishtit.


Projekti pilot që do të zbatohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka për qëllim vlerësimin e funksionimit të këtyre pajisjeve të teknologjisë së fundit dhe efikasitetit në sistem. Deklaratat e kryeministrit u bënë gjatë konferencës së dytë “Për rimëkëmbjen e sektorit energjetik”. Pjesë e reformës do të jetë edhe cilësia e shërbimit ndaj klientit, duke eliminuar radhët në sportele.
Për këtë qëllim, duke filluar nga ky muaj, fatura e energjisë do të mund të paguhet në agjenci të ndryshme shërbimesh në rrjetin elektronik dhe transfertash, në qendra tregtare por edhe duke përdorur celularin. Plani i investimeve të OSHEE për këtë vit kap një vlerë prej 97 milionë dollarë dhe janë fonde të dhëna nga Banka Botërore. Përveç vendosjes së matësve të rinj, do të ndërhyhet në 15 stacione elektrike, në linja të ndryshme transmetimi dhe shpërndarjeje në të gjithë vendin.


Zonat ku do të vendosen matësat inteligjentë
I pranishëm në konferencën “Rimëkëmbja e Energjetike”, kryeministri Edi Rama u shpreh se së shpejti një projekt pilotdo të nisë në Tiranë mbi sistemin e matjes së energjisë elektrike qe shpenzohet nga konsumatori.
“Deutsche Telekomi dhe TIM na kanë bërë një ofertë për të bashkëpunuar me një projekt pilot për efektshmërinë e matësave, që nga zonat si Bathorja, Alliasi, Autostrada, rruga ‘5 Maji’, zona te tregu, duke na dhënë të gjithë elementët si do të futemi në një proces të hapur dhe me cfarë termash. Por në 5 vite transformim t’i japim mundësinë cdo shqiptari që shërbimin ta ketë absolutisht serioz dhe korrekt jo mijëra lekë më shumë sesa konsumon, por qindarkë më qindarkë aq sa konsumon.


Domethënë rritje e eficensës, ulje e humbjeve, racionalizim për cdo familje për OSHEE dhe clirim i dytë i Shqipërisë nga ky makth i madh që na ka shkaktuar injoranca në raport me këtë pasuri kolosale. Pasuri që duhet të ishte burimi kryesor i rritjes së pasurisë dhe jo shkatërrim”.
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka njoftuar se vetëm brenda periudhës dhjetor­janar i janë bashkuar përpjekjes për të paguar energjinë që konsumonin duke i dhënë fund marrëdhënies abuzive me kompaninë e duke nënshkruar dhjetor-janar 137.727 akt marrëveshje, pra 138 mijë konsumatorë që deri në dhjetor i rrinin mbi kurriz kompanisë.


Duke u ndalur në treguesit e OSHEE-së, Rama tha se, krahasuar me janarin e vitit 2013 në muajin janar të këtij viti humbjet u ulën me 128 % dhe krahasuar me muajin janar të vitit 2014 me 57 %. Kjo ka sjellë 21 milionë euro më pak importe energjie, shumë e cila, sipas Kryeministrit Rama shkon për investime në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Ai u bëri thirrje qyetarëve të përfitojnë nga ulja e kamatvonesave deri në datën 28 shkurt, duke siguruar se ky do të jetë afati i fundit. Kompania tha ai ka detyrimin sot të mësojë të sillet e zhvillohet si kompani pa parë asnjërin në sy, por duke i kërkuar të gjithëve detyrimet.


10 mijë matësa inteligjentë për konsumatorët
Matja e energjisë elektrike në hyrje dhe në dalje të fidrave dhe tek çdo konsumator, për të eliminuar humbjet, do të jetë në fokus të disa projekteve që ka ndërmarrë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë këtë vit, në kuadrin e rimëkëmbjes së sektorit elektro-energjitik.
Kreu i OSHEE, Adrian Çela, ka bërë të ditur sot, gjatë konferencës “Rimëkëmbja Energjitike”, mbajtur në Tiranë, se sapo kanë nisur disa projekte për këtë qëllim.


1-Në fazën e parë, – tha Çela, – do të mbikqyrim 65 fidra në disa qytete dhe aty do bëhet një kontroll i energjisë në hyrje dhe dalje. Do vendosen rezultate konkrete të performancës së drejtuesve dhe nëse ata nuk do t’i përmbushin, një tjetër do të duhet të zërë vendin e tyre.
2-Një tjetër projekt është ai i implementimit të 10 mijë matësve inteligjentë në zona të ndryshme të Tiranës. Ky do të jetë një test paraprak për të vendosur shtrirjen e tyre në të gjithë vendin.
3.Projekti i tretë është ai që do të transformojë plotësisht kujdesin ndaj klientit. Përmes instalimit të një aplikacioni online, çdo qytetar do të ndjekë drejtpërsëdrejti, statusin e ankesës së tij.
4.Së fundi, ne po lehtësojmë pagesën e faturave. Pra, jo vetëm në sportelet e OSHEE-s të Postës, por dhe nëpërmje celularit, bankës apo dyqaneve të shërbimit të telefonisë celulare. Të gjitha këto, me kostozero,” – përfundoi Çela.


Më të lexuarat