Stabilizohen cmimet e banesave, rriten tarifat e qirave
Pas një rënie për tre tremujorë radhazi, çmimet banesave u stabilizuan në tremujorin e katërt të vitit 2014.
Banka e Shqipërisë ka përllogaritur se në, terma realë, i deflatuar me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), çmimet e banesave në fund të nëntorit 2014 nuk ka ndryshuar as, me rritje dhe as më rënie në krahasim me tremujorin e tretë të vitit.
Ndërkohë, Indeksi i Qirasë, pas rënies së theksuar që shënoi në tremujorin e tretë të vitit, u rrit me 4.9% në terma realë në këtë tremujor. Në tremujorin e katërt të vitit, raporti i indeksit të çmimeve ndaj qerasë regjistroi rënie krahasuar me një tremujor më parë, si dhe me një vit më parë, përkatësisht me 0.2 dhe 0.1 pikë përqindje. Ky tregues vijon të luhatet afër mesatares së gjashtëve viteve të fundit.
Vlera e shtuar nga dega e ndërtimit shënoi një rritje vjetore me 7.5% në tremujorin e tretë të vitit, duke kontribuar me 0.8 pikë përqindje në rritjen reale të vlerës së shtuar në ekonomi. Ndryshimi i drejtimit të dinamikës së aktivitetit ndërtues, sipas BSH erdhi nga një tkurrje e fortë në gjysmën e parë të vitit në ecuri pozitive në tremujorin e tretë, i atribuohet efektit bazë, rritjes së numrit të lejeve të ndërtimit dhe efektit pozitiv në likuiditet të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura të qeverisë në fushën e infrastrukturës.
Analiza e vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit tregon se, aktiviteti ndërtues rezultoi i zgjeruar kryesisht për ndërtesa për qëllime banimi e të tjera, por u ndikua pozitivisht edhe nga realizimi i punimeve inxhinierike në infrastrukturë. Prirja rritëse e treguesve të vrojtimeve të bizneseve në sektorin e ndërtimit sinjalizon për vijim të zhvillimeve pozitive në këtë sektor edhe në tremujorin e katërt./Monitor