Kompanite vendase do te ndertojne rruget e aksesit per gazjsellsin TAP
Diskutimet për ecurinë e Korridorit Jugor të Gazit mblodhën sot në Baku të Azerbajxhanit, ministrat e Energjisë së Azerbaxhanit, Shqipërisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Bullgarisë dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian.
Përfaqësues i Shqipërisë ishte ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili deklaroi se qeveria e Shqipërisë e ka mbështetur fuqimisht realizimin e projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e Korridorit Jugor të gazit.
Gjiknuri tha se së fundi qeveria ka miratuar edhe kalimin e tokave shtetërore nga ku kalon tubacioni, duke mundësuar nisjen e fazës së punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.
Ai insistoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të bëhen pjesë direkte e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, një hap ky, që do të mund të ndikonte edhe më shumë në rritjen e përfitimeve ekonomike. Ministri i kushtoi një rëndësi edhe marrëveshjes së nënshkruar me Azerbaxhanin dhe kompaninë shtetërore të naftës SOCAR, për financimin dhe kryerjen e studimit të fizibilitetit për gazifikimin e Shqipërisë.
Paralelisht do të mund të hartohet edhe masterplani i gazit në Shqipëri me fondet tanimë të garantuara nga Bashkimi Evropian përmes WBIF. Ministri tha se më 17 shkurt, në Tiranë do të mblidhen përfaqësues të lartë të kompanive SOCAR, BP, SHELL etj në një tryezë ku do të diskutohet posaçërisht për çështjen e masterplanit që kontribuon në gazifikimit të Shqipërisë.