Secondary Adv

Tkurren kursimet ne leke: Pesha e depozitave ne euro 54 per qind ne prill

Depozitat në sistemin bankar shënuan rënie në prill për të dytin muaj radhazi, pas performancës pozitive që shfaqën në fillim të vitit. 

 

Ndërkohë euro mbetet monedha e preferuar e kursimtarëve, duke përbërë më shumë se gjysmën e totalit (54%). Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit prill arriti në 998.6 miliardë lekë, duke zbritur sërish poshtë nivelit të 1 triliard lekëve, ku kishte arritur që nga janari. Në raport me muajin e mëparshëm, depozitat u tkurrën me 0.5%, ose rreth 4.6 miliardë lekë më pak. Në rënie ishin si kursimet në lekë, ashtu dhe ato në valutë. 

 

Në lekë vijoi ulja e kursimeve me afat të individëve, një tendencë që po vazhdon të paktën prej 6 vitesh, që kur Banka e Shqipërisë filloi politikën lehtësuese monetare, duke ulur normat e interesit bazë, çka u transmetua me rënien e kthimeve nga kursimeve në banka, që sot është më pak se 1% për depozitat 12-mujore. Depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 0.6% në raport me muajin e mëparshëm, duke zbritur në 232.8 miliardë lekë, ose 23% të totalit, nga 41% që ishte pesha e tyre në janar 2012, kur sapo kishte filluar politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë. Në rënie në prill ishin dhe kursimet e individëve në euro, që u tkurrën me ritme më të larta prej 2% në raport me muajin e mëparshëm, duke zbritur në 224 miliardë lekë.

 

Gjithsesi, rënia e kursimeve në euro të individëve u kompensua nga shtimi i depozitave në valutë të bizneseve, që u rritën me gati 5%. Me bazë vjetore, (prill 2019/prill 2018), depozitat në total janë rritur me 2%, të udhëhequra nga kursimet në euro, që u zgjeruan me 4%, ndërsa ato në lekë mbetën pothuajse të pandryshuara. (rritja në euro ishte dhe më e lartë duke pasur parasysh nënçmimin e monedhës së përbashkët në raport me një vit më parë). Si rrjedhojë, pesha e depozitave në euro ishte 54% e totalit, nga 52.7% që ishte një vit më parë. Duke pasur parasysh efektin e zhvlerësimit të euros, pesha është edhe më e lartë. Një vit më parë, Banka e Shqipërisë nisi një strategji për të ulur përdorimin e monedhës së përbashkët në ekonomi, por euro mbetet sërish e preferuara e shqiptarëve./Monitor


Më të lexuarat