Secondary Adv

Parkimi me pagese ne Tirane, ja sa do te jene cmimet sipas zonave

Harta e vendparkimeve me pagesë do të zgjerohet. Në kryeqytet do të ketë më shumë zona, ku për të lënë makinën do të duhet të paguash, edhe pse konsiderohen si publike. Bashkia e Tiranës ka paraqitur dje, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, projektvendimin për të dhënë me koncesion 7400 vende parkimi në kryeqytet.


Kjo do të thotë se në këto hapësira, që deri dje nuk kishte tarifë, pasi ishin hapësira publike, ku çdokush mund të parkonte automjetin e tij pa qenë i detyruar të paguante, me nismën e Bashkisë Tiranë parkimi do të ketë kosto.


Ja zonat dhe tarifat e parkimit
Projektvendimi parashikon edhe vlerën që do të faturohet, e cila është e ndryshme në zona të ndryshme. Kështu, për zonat me densitet në qarkullim apo segmentet kryesore, përmendim bulevardin, do të kërkohet pagesa deri në 150 lekë për 2 orë qëndrim. Ndërkohë, për zonat më periferike do të aplikohet pagesa 50 lekë ora pa kufizim në qëndrim.
Aktualisht janë 1400 vende parkimi private në kryeqytet dhe 42 mijë hapësira të tjera, që janë publike. Sipas nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, kjo është një praktikë që ndiqet në të gjitha vendet e Europës. Bozdo tha se në rajon Tirana është kryeqyteti i vetëm, që nuk vjel të ardhura nga parkimet publike.


“Kjo është një praktikë e njohur në të gjitha kryeqytetet europiane. Kapaciteti total i parkimeve në Tiranë është afërsisht 42 mijë, nga të cilat 24 mijë prej tyre ndodhen në të ashtuquajturat rrugë kryesore të qytetit të Tiranës. Dhe, kur them rrugë kryesore, përfshihen bulevardet, atje ku parkon shumica e makinave që hyjnë në Tiranë nga rrethet për shkak të punëve të përditshme. Mbi 100 mijë makina hyjnë çdo ditë në Tiranë. Propozimi i Bashkisë që të ketë vetëm 7400 pozicione, pra nga 24 mijë që janë në rrugët kryesore të Tiranës, vetëm 7400 të jenë të rregulluara, çka do të thotë të jenë me pagesë. Nuk besoj unë që po propozojmë diçka që as nuk është parë dhe as nuk është dëgjuar ndonjëherë. I vetmi kryeqytet sot në rajon është Tirana, që nuk e ka masë të tillë”, tha Bozdo.


Koncesioni
Dhënia me koncesion e kësaj hapësire parashikon që të kontraktohet një kompani për një afat 35-vjeçar. Kjo kompani do të marrë përsipër tarifimin e qytetarëve në bazë të kontratës, që do të nënshkruajë me Bashkinë, për të cilën do të shkojë 10% e fitimit. Këshilltarët e majtë e kundërshtuan këtë nismë.
Sipas tyre, nuk është e drejtë që qytetarët e Tiranës të paguajnë për hapësirat që janë publike. Për këtë ata kërkuan një javë kohë që të shqyrtojnë projektvendimin dhe të marrin një vendim nëse do ta miratojnë apo do ta rrëzojnë nismën. Nënkryetari Bozdo e cilësoi këtë një mënyrë të mirë për të gjeneruar të ardhura, që në fund të fundit do të përkthehen në investime për qytetarët e Tiranës.
Ai tha se barra e pagesës nuk do të rëndojë në xhepat e kryeqytetasve, por të atyre që vijnë çdo ditë në Tiranë për punë të përditshme. Në projektvendimin e Bashkisë thuhet gjithashtu se ka mbërritur propozimi i parë nga një kompani që ka shprehur interes për marrjen me koncesion të hapësirave publike të parkimit. Bëhet fjalë për shoqërinë ABT dhe Speed Taxi.


Ndërkoë, sipas këshilltarit të majtë Florian Pullazi, ekziston risku që kompania e cila ka bërë studimin, të kthehet në monopol. “Isha në Vjenë, parkingjet ishin të gjitha të Bashkisë. Mos vallë kjo kompani do të krijojë monopol në treg? Cila është kompania që ka sjellë studimin dhe është e licencuar për të bërë studimin?”, tha Pullazi. Këshilltarët e majtë kërkuan që të shtyhet vendimi.
Në emër të Grupit Parlamentar të maxhorancës, Genti Gazheli kërkoi një javë kohë. Me votat e këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim vendimi u shty për të enjten e javës tjetër, pavarësisht insistimit të anëtarëve të djathtë për votimin e nismës, me argumentin se u shërbente qytetarëve të Tiranës.


Më të lexuarat