Projekti i ri i Unazes: Rrethrrotullimi i makinave nentoke-Veliaj: Ne te ardhmen nyja me nevralgjike
Projekti i rreth-rrotullimit të sheshit “Shqiponja” ndryshon sërish.
Në fjalën e tij prezantuese, kryebashkiaku Veliaj vlerësoi propozimin e bërë dhe theksoi se kalimi nëntokë i rrethrrotullimit i jep qytetit një pamje krejt tjetër. “Një nga temat kryesore që kemi adresuar ka të bëjë me mundësinë dhe propozimin për transformimin e rrethrrotullimit “Shqiponja”, nga një zgjidhje në lartësi në një zgjidhje në thellësi. Kur infrastrukturat masive, pra autostradat, përshkojnë zona urbane, si ato që kemi parë në kryeqytete ose qytete të mëdha të Europës, kemi parasysh këtu rastin e Brukselit apo Milanos, zgjidhja ka qenë në thellësi. Pra, në vend që të kemi kate, që pengojnë pamjen e hyrjes së qytetit me infrastrukturë masive të betonizuar në lartësi, këto i çojmë në thellësi. Propozimi kryesor fillestar ka të bëjë me kalimin në kate nëntokësore, që nuk ndërpresin qarkullimin”, tha Veliaj. Po ashtu, ai theksoi se ky propozim sjell mosndarjen e qytetit me një mur artificial, i cili do të krijohej nga lidhja e unazës me rrethrrotullimin nëpërmjet këmbëve dhe murit të betonit.
“Propozimi ynë shkon nga alternativa ku autostrada ngrihet në këmbë dhe në njëfarë mënyre krijon një urë artificiale midis Njësisë 7 dhe zonës së Astirit, Kasharit apo Yzberishtit, në kalimin në nivel zero, çka për këmbësorët, bizneset dhe ata që duan të shfrytëzojnë hapësirat e trotuareve apo mini-sheshet që krijohen në çdo kryqëzim, të kemi mundësi që t’i shtojmë vlerë dhe jo të krijojmë një mur ndarës, që shërben vetëm për makinat si mjet lidhës, kurse për dy komunitetet shërben si mjet ndarës”, theksoi kreu i bashkisë. Projekti i rishikuar sjell po ashtu korsi të dedikuara për mjetet e transportit publik, si dhe përdoruesit e biçikletatave. “Edhe pse është një autostradë kombëtare, ky segment përshkohet nga linjat e transportit publik të Tiranës; aty kalon Unaza e Tiranës së Re, e cila tani vjen si një linjë unazore dhe përputhet në këtë segment me gjurmën e Unazës së Madhe, ndaj kemi planifikuar edhe korsi për transportin urban apo shërbime të tjera alternative si taksi dhe korsi biçikletash”, nënvizoi kryebashkiaku Veliaj./Balkanweb