
Bashkia vijon punimet ne lagjet e Tiranes-Veliaj: Investimet kane rritur vleren e prones
Erion Veliaj u ndal sot në Njësinë 7, për të biseduar me banorët mbi projektet transformuese të nisura në Tiranë dhe investimet që do vijojnë në mandatin e dytë.
Ai theksoi se edhe kjo njësi, ashtu si e gjithë Tirana, ka pasur në këto 4 vite një vëmendje të shtuar në investime, çka ka sjellë më shumë rrugë të asfaltuara, më shumë kënde lojërash, më shumë hapësira rekreative dhe gjelbërim. Veliaj siguroi se edhe projektet e nisura më parë do të mbyllen gjatë muajve të verës, duke shfrytëzuar motin e mirë të verës. “Jam jashtëzakonisht i lumtur sot që, me hapjen e motit, na u hap edhe fronti i punës. Tani do të shfrytëzojmë korrikun, gushtin, por edhe qershorin, që të kapim maksimumin, pa bërë pushime në verë, që zonat e kthyera në objekte kantieri në Bashkinë e Tiranës të përfundojnë, dhe kur njerëzit të kthehen nga pushimet në shtator, zona të ketë dalë në dritë”, tha kandidati i PS, njëherësh kryebashkiak i Tiranës, Erion Veliaj.
Nga ana e tyre, banorët shprehën mirënjohjen për vëmendjen e treguar nga bashkia në këto 4 vite, qoftë sa i përket realizimit të disa prej projekteve madhore, si sheshi “Skëndërbej”, Pazari i Ri, Bulevardi i Ri, por edhe për punët e vogla në çdo lagje, duke filluar nga këndet e lojërave për fëmijë, hapësirat e dedikuara për më të rriturit, si dhe infrastruktura urbane, rrugë, trotuare, ndriçim, ujësjellës. “Jam i lumtur që falë kësaj rrugës, shtëpia ime ka marrë një vlerë mbi 100 mijë euro. 100 mijë euro plus, vetëm nga investimi i rrugës”, tha një banor i lagjes.
Më tej, Veliaj u shpreh se pikërisht falë bashkëpunimit me banorët, e gjithë lagjja mes Rr. “Kel Kodheli” dhe “Skënder Shtylla” po pëson një transformim tërësor, duke u sistemuar me rrugë të asfaltuara, trotuare, ndriçim, e gjithë aksesorët e tjerë urbanë. Unë e di, asnjë nuk do të japë një copë nga e vetja, ama duke kontribuar me një metër nga avllia e vet, na ka dhënë një mundësi të jashtëzakonshme për trotuare. Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës nënvizoi se investimet e kryera në urbanizimin e zonës kanë sjellë një përfitim indirekt te banorët, edhe duke i rritur vlerën pronës së tyre. “Në momentin që mbaron infrastruktura, do jetë pastaj më kollaj për çështjen e legalizimeve, se edhe ALUIZNI do shohë që ka mbaruar rrjeti i rrugëve, ka mbaruar rrjeti i ujësjellësit, i ndriçimit, do të thotë që edhe pengesat e mëhershme për investimet e munguara, për mungesë urbanizimi, zhbllokohen.
Ndaj, rendi i gjërave është: Fillimisht urbanizim, më pas legalizim i atyre pak pikave që kanë mbetur, por siç e dëgjuat nga banorët, dikujt i është rritur vlera e shtëpisë, nga një shtëpi informale, sot e quan vilë. Kur jam takuar herën e fundit thoshte shtëpia quhet vilë sot, sepse ka ulur avllinë, ka bërë trotuar, i ka dalë në dritë dhe sot vlerësohet mbi 100 mijë euro”, tha Veliaj. Ai theksoi se ashtu siç është punuar në këto 4 vite, do të punohet edhe në mandatin e dytë, për të vijuar transformimin që ka nisur në çdo cep të Shqipërisë./Balkanweb
Më të lexuarat








