Secondary Adv

Investimet publike me dy standarde: Kostot e rrugeve me te lira kur perfshihen te huajt

Skemat e ndërtimit të rrugëve ose autostradave kombëtare, apo punimet e stërzgjatura dhe të kushtueshme të tyre janë tashmë një realitet i përsëritur. 

 

By pass i Fierit është një prej këtyre historive të komplikuara të investimeve publike në Shqipëri. Kjo rrugë është pjesë e korridorit të rëndësishëm rrugor Veri-Jug dhe aksi kalon në perëndim te Fierit, midis qytetit dhe vijës se bregut. Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i 3 urave mbi lumin Seman, secila prej tyre me një gjatësi prej 80 m, respektivisht në vendet e referuara si kanali i Hoxharës dhe ai i Pojanit. Jane parashikuar gjithashtu të ndëtrohen 21 nënkalime, 2 gjysmë kryqëzime dhe 4 kryqëzime në disnivel. Nga pikëpamja ekonomike dhe zhvillimore, by passi konsiderohet si shumë i rëndësishëm për Shqipërinë jugore, qoftë nga pikëpamja e zhvillimit industrial dhe turistik, ashtu edhe për sa i përket impaktit të rëndësishëm në bujqësi. 

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, by passi i Fierit, i gjatë rreth 22 kilometër i përket kategorisë së autostradave interurbane. Kosto e projektit, për ndërtimin e këtyre 22 kilometrave janë përllogaritur të përmbyllem me shumën prej 60 milionë euro, ose 2.7 milionë euro për kilometer. Ky investim finacohet nga donatorët BERZH dhe BEI. Edhe më herët, janë bërë diskutime dhe përpjekje për përfundimin më shpejt të aksit rrugor, por si çdo investim tjetër, vetëm sot pas 5 vitesh ka diçka më konkrete. Në vitin 2014 përfundoi tenderi për ndërtimin e by passit dhe kompania italiane “Serenisima’ u nënkontraktua për kryerjen e punimeve me vetëm 38 milionë euro ose me 1.7 milionë euro për kilometër. 

 

Por një konflikt me palën shqiptare, bëri që kompania të hiqte dorë dhe qeveria e donatorët filluan të kërkonin kompani të tjera. Zgjidhja me sa duket erdhi vetëm këtë vit, por kostoja përsëri arriti në 1 milionë euro më shumë për çdo kilometer. Nga ana tjetër, rruga Orikum –Dukat, e kategorisë C2 vetëm 7 metër e gjerë dhe 15 kilometër e gjatë, dukshëm shumë më e shkurtër dhe më pak komplekse se sa by pass i Fierit me 3 ura dhe 21 nënkalime, do i kushtojë qeverisë shqiptare plot 67 milionë euro, ose 4.4 milionë euro për kilometer. Aq më tepër shtuar këtu edhe faktin se ky aks nuk ka rëndësi kombëtare ose prioritet të veçantë dhe pa u ndërtuar në të njëjtën kohë deri në Himarë nuk përfaqëson as vlerë të shtuar turistike. 

 

Vetëm disa ditë më parë u shumëpërfol gjithandej edhe një skemë tjetër, ajo e rrugës Milot- Balldren ose by passi i Lezhës, për të cilin diskutimet ende nuk janë shuar. I dhënë me koncension vetëm ditët e fundit dhe në parametra, i ngjashëm me By passin e Fierit, ky aks rrugor do i kushtojë buxhetit të shtetit, 12.5 milionë euro për kilometer. Nga të dhënat qartazi kuptohet se autostrada që lidh boshtin kryesor rrugor në vend atë Veri-Jug, pra By pass i Fierit kushton shumë më lirë se rrugët me më pak kompleksitet dhe gjatësi shumë herë më pak. Ky ndoshta është tregues se kur përfshihen donator të huaj, kostot nuk mund të rriten në mënyrë fiktive dhe në rrethana të caktuara investimet publike kryhen me dy standarde./Atlasi.al


Më të lexuarat