Qeveria mbeshtet propozimet per taksen e plastikes: Do ulet ne 10 leke/kg
Qeveria do mbështesë propozimet në lidhje me lehtësimin e barrës fiskale për lëndët e para të cilat importohen për prodhimin e plastikës, duke e ulur në 10 lekë/kg.
Pas ankesave të prodhuesve shqiptarë mbi efektet negative që solli ndryshimi i saj me paketën fiskale 2019, qeveria deklaroi se do ta rishikonte taksën. Ndërkohë që, në një prononcim dhënë për TV SCAN, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi thotë se do të mbështetet amendamenti i dorëzuar pak ditë më parë nga deputeti Beqaj. Ndërkaq, i pyetur në lidhje me rimbursimin e kostove të shkaktuara deri më tani nga aplikimi i kësaj takse, Shalsi tha se po merren në shqyrtim disa mundësi.
Përveç reduktimit, propozimi i Beqajt parashikon dhe rimbursimin e taksës, jo vetëm për ambalazhet që eksportohen, por edhe për çdo artikull tjetër plastik që del jashtë vendit. Gjithashtu, një tjetër propozim lidhet edhe me përjashtimin nga kjo taksë për disa kategori biznesesh, ku lëndët e para përdoren për procese teknologjike për prodhimin e mallrave jo plastike. Këtu përfshihen lëndët e para që përdoren për prodhimin e sfungjerëve, në industrinë e prodhimit të mobiljeve, lëndët e para me përmbajtje proteinike apo celuzoike që përdoren në industrinë e prodhimit të sallameve, si dhe ato që përdoren në industrinë e ndërtimit në funksion të eficencës së energjisë./Scan