
Ligji i ri per lojerat e fatit, kazinote zhvendosen ne zonat turistike
Këtë vit qeveria mund të rikthejë një ide të hershme për grupimin e kazinove në zonat turistike, kryesisht në zonat bregdetare. Miratimi i një nisme të tillë paralajmërohet në planin e nismave që do të depozitohen këtë vit për miratim pranë Këshillit të Ministrave.
Ndryshojnë rregullat ligjore për lojërat e fatit. Këshilli i Ministrave ka miratuar një ligj të ri për lojërat e fatit ku përcaktohet, ndër të tjera, zhvendosja e kazinove drejt zonave turistike. Kjo sipas hartuesve të projektligjit, do të rritë atraksionin për turistët. Do të ndalohet gjithashtu ushtrimi i këtyre aktiviteteve pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Projektligji, i cili ka mbërritur tashmë në Kuvend, cakton një skemë taksimi jo fikse, siç ishte deri tani, për çdo sallë/ NIPT sekondar/makinë elektronike, por mbi bazën e fitimit. Një risi e projektligjit është ngritja e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të subjekteve të lojërave të fatit.
Projektligji
Projektligji i qeverisë përcakton se lojërat e fatit, të cilat mund të zhvillohen në Shqipëri janë bastet sportive; bastet për gara në pistë; kazinotë e vendosura në hotele me 5 yje; lojërat elektronike në distancë; resort kazinotë; Lotaria Kombëtare si edhe bingot televizive. Në këto aktivitete mund të punësohen dhe të luajnë vetëm persona mbi 21 vjeç, në një kohë që çdo lojtar duhet të regjistrohet nga organizatorët e lojërave të fatit. Çdo aktivitet i tillë nuk mund të ngrihet pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë. Distanca mes këtyre institucioneve dhe lojërave të fatit nuk mund të jetë më pak se 200 metra në vijë ajrore, në të gjitha drejtimet. Për çdo aktivitet që nuk e zbaton këtë distancë do të ketë masa administrative deri në heqje të licencës.
Kufizime përcaktohen edhe për reklamimin e lojërave të fatit në një kohë që ashpërsohen kriteret për dhënien e licencave. Përcaktohet gjithashtu që organizatorët e kazinove, në momentin e licencimit dhe gjatë të gjithë aktivitetit të tyre kanë të drejtë të hapin vetëm 1 sallë për ushtrim aktiviteti; bastet sportive deri në 500 adresa sekondare me një distancë jo më pak se 200 metra nga njëra –tjetra, në vijë ajrore ndërsa subjektet e licencuara për garat në pistë kanë të drejtën e 1 hipodromi. Afati i licencimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit është 10 vjet. Ndërsa tarifat ndryshojnë në bazë të kategorive. Bastet sportive dhe bastet për garat në pistë, për të gjithë periudhën e licencimit, kanë një tarifë prej 200 milionë lekësh. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 500 adresa sekondare në total. Për bingot televizive kjo tarifë është 40 milionë lekë ndërsa për kazinotë dhe lotarinë kombëtare është 1 miliard lekë.
Kazinotë e vendosura në hotelet me pesë yje do të kenë një tarifë për të gjithë periudhën e licencimit prej 70 milionë lekësh, ndërsa lojërat elektronike në distancë, do të taksohen me 200 milionë lekë. Risi për këtë ligj është ngritja e një Sistemi Qendror të Monitorimit On-line të basteve. Në këtë mënyrë synohet një kontroll i plotë dhe i besueshëm për regjistrimin dhe ruajtjen e informacionit mbi pagesat e pranuara nga bastet dhe pagesat e kryera nga organizatori për lojtarët fitues, si dhe sigurohet informacion i saktë, real dhe i pandryshuar për pagesat e kryera. Një tjetër element i rëndësishëm në këtë projektligji është përcaktimi i garancive financiare nga çdo organizator i lojërave të fatit si për fituesit ashtu edhe për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit.
Për krijimin e garancive për fituesit e lojërave të fatit, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5 milionë lekësh, në një kohë që për shlyerjen e detyrimeve periodike karshi Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, organit tatimor etj, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 10 milionë lekësh. Këto llogari të veçanta zhbllokohen vetëm me urdhër të ministrit të Financave. Mosngurtësimi i fondeve të garancisë përbën shkak ligjor për pezullimin dhe heqjen e licencës nga AMLF-ja. Në një kohë që për çdo shkelje ligjore, projektligji parashikon dhe masat administrative që nisin me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 50 milionë lekë por edhe sekuestrim e konfiskim të pasurisë nëse subjekti nuk paguan detyrimin, sipas afatit të përcaktuar në këtë ligj. Projektligji në nenit 68 të tij parashikon dhe që inspektorët e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit kanë të drejtë të pajisen me armë zjarri në përputhje me legjislacionin e fushës në fuqi.
Rregullat
Projektligji i propozuar parashikon:
• Për bastet sportive lejohet një numër maksimal prej 500 sallash, dhe distanca nga njëra pikë basti tek tjetra të jetë jo më pak se 200 metra.
• Për bastet sportive dhe bastet për garat në pistë: - afati i licencimit është 10 vjet; - tarifa për licencë është 200 000 000 lekë.
• Për bingon televizive: - afati i licencimit është 10 vjet; - tarifa për licencë është 40 000 000 lekë.
• Për kazino dhe lotari kombëtare: - afati i licencimit është 10 vjet; - tarifat për licencë fillojnë nga 40 000 000 deri në 1 000 000 000 lekë.
• Për resort kazinotë, kazinotë në hotele me 5 yje: - afati i licencimit është 10 vjet; - tarifa për licencë 1 000 000 000 lekë.
Mbrojtja e lojtarit
1. Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit, si dhe shanset reale për të fituar.
2. Ndalohen ndërtimi/blerja, marrja/ dhënia me qira apo huapërdorje e mjediseve, me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë.
3. Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, duhet të jenë jo më pak se 200 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Distancat të llogariten ndërmjet ekstremiteteve më të afërta të dy objekteve. Mënyra e përllogaritjes së distancave sipas kësaj pike përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.
Detyrimet tatimore që duhet të paguajnë organizatorët
1. Veprimtaritë e lojërave të fatit përjashtohen nga tatimi mbi vlerën e shtuar.
2. Të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 25% për qind, përveç rasteve të parashikuara ndryshe me ligj të veçantë.
3. Organizatorët e kategorisë “Baste sportive” tatohen në masën e parashikuar në përputhje me pikën 2, të këtij neni, por jo më pak se 40 000 (dyzet mijë) lekë në muaj, për çdo pikë sekondare të hapur. Krahas detyrimit tatimor të përmendur në pikën 2, të këtij neni, organizatorët e kategorisë “Baste sportive” dhe “Baste për gara në pistë”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, derdhin në llogari të ministrisë përgjegjëse për sportin shumën prej 0,3 për qind të xhiros vjetore.
4. Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino” paguajnë detyrimet tatimore mujore, për:
a) tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë), një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 300 mijë lekë në muaj për çdo pozicion;
b) çdo tryezë të lojërave (me letra dhe/ose me zara), një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 1.5 milionë lekë;
c) lojërat elektronike dhe për videolotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 25% nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit;
ç) makinat slot me fitim në çast, një taksë mujore në masën 25 për qind nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit. Krahas detyrimit tatimor të përmendur në pikat 2 dhe 4, të këtij neni, organizatorët e kategorive “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, derdhin në llogari të ministrisë përgjegjëse për turizmin shumën prej 0,3 për qind të xhiros vjetore. Ministria përgjegjëse për turizmin duhet të njoftojë AMLFnë në rast se organizatori nuk derdh në llogari shumat e cilësuara në këtë pikë. Organizatori duhet të depozitojë kopje të mandatpagesës edhe pranë AMLF-së.
5. Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari Kazino në hotele me 5 yje, përveç detyrimeve të sipërcituara për këtë kategori, paguan dhe një taksë vjetore prej 140 000 (njëqind e dyzet mijë) lekësh për makinë elektronike.
6. Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në bastet për gara në pistë, paguajnë detyrimet tatimore, si më poshtë: a) Një tatim loje fati, me kuotë fikse çdo muaj prej 2 milionë lekësh për shoqërinë; b) Një tatim loje fati, me kuotë fikse çdo muaj prej 40 mijë lekësh për çdo pikë të shitjes së basteve; c) Për lojërat elektronike, me fitim në çast, të vendosura në mjediset e hipodromit, një tatim me kuotë fikse çdo muaj prej 40 mijë lekësh për çdo kompjuter elektronik ose pozicion të makinës elektronike.
7. Detyrimet tatimore për lojërat e fatit paguhen në degën e organeve tatimore, ku është e regjistruar shoqëria (organizatori), jo më vonë se data 15 e çdo muaji për veprimtarinë e realizuar në muajin pararendës.
8. Tatim-fitimi i organizatorit llogaritet dhe paguhet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
9. Organizatori i kategorisë “Lotari Kombëtare”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, krahas detyrimeve të parashikuara në këtë nen, duhet të derdhë në llogari të Ministrisë së Financave 5 për qind xhiros vjetore si fond për çështjet e mira, si dhe 0,2 për qind të xhiros vjetore për ministrinë përgjegjëse për kulturën.
10. Organizatori i kategorisë “Bingo televizive”, brenda 31 marsit të vitit pasardhës, krahas detyrimeve të parashikuara në këtë nen, duhet të derdhë në llogari të ministrisë përgjegjëse për kulturën 0,2 për qind të xhiros vjetore.
Më të lexuarat








