Paradoksi i sektorit te ndertimit: Cmimet rriten thellesisht dhe kostot vetem 0.4 per qind
Tremujori i parë i vitit ka sjellë një rritje me 0.4% tek kostot e ndërtimit të banesave, krahasuar me po të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është bërë e ditur nga të dhënat zyrtare të INSTAT, sipas të cilave rritja e mësipërme mbetet në nivele relativisht të ulëta dhe kostot e përgjithëshme duket se nuk do shfaqin ndonjë trend ndryshimi. Kjo rritje vjen e klasifikuar tek zëri “kosto të paspecifikuara” dhe ende nuk dihet çfarë faktor e shkakton. Përveç kësaj raporti i INSTAT, referuar tremujorit dhe krahësuar me vitin e mëparshëm ka marrë në shqyrtim edhe zërat e tjerë përbërës të kostove të ndërtimit. Kështu për periudhën, indeksi ”Kosto të tjera” u rrit me 1,6%, ndjekur nga grupi “Shpenzime për paga” dhe ”Shpenzime makinerie” përkatësisht me 1,3% dhe 1,0%. Ndërsa grupet “Shpenzime transporti” dhe “Shpenzime materiale” kanë pësuar një rënie respektive prej 1,0% dhe 0,4%. Nga ana tjetër, për tremujorin e parë të 2019, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi një rënie me 0,3%.
Ai është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit dhe mat ecurinë e çmimeve të materialeve, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese. Revista Monitor ka siguruar edhe një paraqitje grafike të ndryshimeve vjetore me luhatjet e Indeksit të Kushtimit në Ndërtim. Por, pavarësisht se kostot në ndërtim janë pothuajse në vendnumëro dhe gjithashtu kërkesa për banesa ka shënuar rënie, çmimet janë rritur me shpejtësi. Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri shkon mesatarisht në 32-33 mijë lekë për m2, me diferenca të vogla mes bashkive të ndryshme, ama çmimi mesatar i shitjes së banesave nga ana tjetër shkon shumë herë më tepër. Në kryeqytet për shembull mesatarisht ai rezulton në mbi 700 euro për m2, ose rreth tre herë sa kostoja. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, që prej vitit 2013 deri më 2018, çmimet e banesave janë rritur mesatarisht me 15%./Atlasi.al