Nisja e sezonit veror: Ministria e Shendetesise plan masash per nje sezon turistik te sigurt
Gjatë verës 28 qendra shëndetësore do ofrojnë shërbim 24 orë, 18 autoambulanca do jenë në zonat më të frekuentuara turistike, si dhe spitalet me shërbim të përforcuar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë, deputetët e Durrësit dhe kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e këtij qyteti, inspektuan qendrën e posaçme të hapur për sezonin veror në zonën e Currilave, e cila është një nga 4 qendrat verore 24 orëshe të hapura në Durrës. Sipas ministres, jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në zonat malore, nga Valbona në Ksamil do ofrohet shërbim shëndetësor pranë zonave turistike, gjatë gjithë sezonit veror.
“Përveç qendrave shëndetësore verore, këtë vit do të kemi 18 postacione fikse autoambulancash, të pajisura me të gjitha mjetet jetëshpëtuese, nga veriu në jug të vendit, në zonat më të frekuentuara turistike për të garantuar ndihmën e parë në kohë”, tha Manastirliu. I gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore dhe nëpërmjet numrit 127, do të adresohet çdo emergjencë shëndetësore. Përveç qendrave verore, të gjithë ekipet mjekësore në spitalet pranë zonave turistike do të jenë me shërbim të përforcuar si dhe shërbimi i autoambulancave dhe helikopterëve janë në gatishmëri. Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 Shtator. Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik./Shqiptarja.com