Secondary Adv

Ndertimet para 1991, brenda 7 diteve marrin tapite

 

Kur shteti ka interesin e tij, mund ta hipotekojë një pronë brenda tri ditësh. Për efekt të shpronësimeve publike, objektet që janë ndërtuar para vitit 1991, por që nuk janë hipotekuar, do të mund të regjistrohen me shpejtësi rrufe. Kjo procedurë e përshpejtuar urdhërohet me një vendim qeverie që është propozuar nga ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Zhvillimit Urban.


Në vendimin e datës 5 shtator 2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshime që kanë për qëllim shpejtimin e procesit të shpronësimeve, për shkak të ndërtimit të veprave publike. Sipas vendimit të para dy ditëve, shtohet si rast urgjent regjistrimi i këtyre lloj pasurish. Përjashtimisht, në rastet e realizimit të projekteve, investimeve dhe shpronësimeve për ndërtimin e infrastrukturës publike kombëtare ose vendore, institucioni i autorizuar, kryesisht ose me kërkesën e subjektit të interesuar apo subjektit që kryen investimin, fillon dhe përfundon brenda 7 ditëve procedurat e miratimit të kalimit të pronësisë.
Vendimi i institucionit të autorizuar dhe lista e plotë e subjekteve, shoqërohet me: dokumentin zyrtar, që provon se ndërtimi është bërë para vitit 1991. Sipas vendimit, si provë shërben edhe çdo dokument tjetër zyrtar i asaj kohe, që provon ekzistencën e këtij objekti para vitit 1991. Gjithashtu, dosja duhet të ketë vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme, para datës 10 gusht 1991.


Dokumentet
Në vendim është përcaktuar se është e domosdoshme që aplikanti duhet të dorëzojë çdo dokument zyrtar, që provon ekzistencën e ndërtimit para vitit 1991. Një tjetër dokument i domosdoshëm është edhe vërtetimi i gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme, para datës 10.8.1991.
Këto dokumente, së bashku me relacionin tekniko-ligjor, të përgatitur nga institucioni i autorizuar, i dërgohet, menjëherë, zyrës vendore të pasurive të paluajtshme”. Zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme kryen procedurat për regjistrimin e pasurive të paluajtshme dhe lëshon dokumentin e pronësisë brenda 3 ditëve. Ndërkaq, zyra hipotekore, me lëshimin e dokumentit të pronësisë, njofton menjëherë institucionin e autorizuar si dhe subjektin e interesuar apo subjektin që kryen investimin, duke e shoqëruar me dokumentacionin tekniko-ligjor të regjistrimit.


Pagesat
Shpenzimet e nevojshme për regjistrimin e pronës përballohen, fillimisht, nga subjekti kërkues dhe përfitues i projektit dhe i rimbursohen më pas këtij subjekti nga vlera e kompensimit të pronarit,në momentin e likuidimit për efekt të shpronësimit.


Përfituesit
Përfituesi i pasurisë së paluajtshme, në kohën e marrjes së certifikatës së pronësisë, paguan në numrin e llogarisë së caktuar nga institucioni i autorizuar tarifën e shërbimit. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Brendshëm.


Më të lexuarat