Secondary Adv

Nga shtatori patentat shqiptare do te njihen ne Greqi, Mal te Zi dhe Serbi

 

Shqiptarët shumë shpejt do mund të drejtojnë mjete të udhëtimit në Greqi, Serbi dhe Mal të Zi me patenta shqiptare. Kjo pasi brenda këtij viti qeveria shqiptare ka rënë dakord që të nënshkruajë tri marrëveshje të ndryshme me këto vende për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit.


Kështu, Ministria e Jashtme pritet që gjatë këtij viti të miratojë një marrëveshje me qeverinë e Republikës së Greqisë për njohjen e ndërsjelltë të patentave apo lejeve të drejtimit siç njihen në termin zyrtar. Kjo do të bëjë të mundur që një shtetas shqiptar të mund të udhëtojë drejt Greqisë me patentën e marrë në Shqipëri, pa qenë nevoja për dokumentacion apo procedura shtesë, siç edhe realizohet tani.


Por ata që do u shpërbejë më shumë kjo marrëveshje janë pikërisht emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Nga momenti i hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, ata nuk do jenë më të detyruar që të futen edhe një herë në kurs për marrjen e lejeve të drejtimit në shtetin grek, por do mund të drejtojnë automjetet e tyre vetëm me patentën shqiptare.


Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje nga Ministria e Jashtme parashikohet që të ndodhë brenda muajit shtator të këtij viti. Po ashtu, një marrëveshje e tillë parashikohet të nënshkruhet edhe mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do synojë njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve. Një marrëveshje e ngjashme është rënë dakord të miratohet edhe me Malin e Zi, ku sërish do synohet të njihen lejet e drejtimit të vendeve reciproke.


Me Serbinë, në planin vjetor të vendimmarrjeve të ministrive është parashikuar edhe miratimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është lehtësimi i lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve të të dyja vendeve, si mjet i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve dhe mbështetjen e zhvillimit në të gjitha fushat e veprimtarive.
Më konkretisht, me anë të kësaj marrëveshjeje do të bëhet përcaktimi i dokumentacionit të nevojshëm për udhëtimin e shtetasve të të dyja shteteve në vendet e njëra-tjetrës, lirisht, duke përfshirë si pjesë të këtij dokumentacioni edhe kartat e identitetit biometrike të shtetasve të palëve kontraktuese. Ministria e Jashtme është duke punuar ndërkohë edhe për hartimin e një projektligji konkret për marrëveshjet ndërkombëtare, i cili do tentojë të rregullojë në mënyrë konkrete veprimtarinë e shtetit shqiptar në procesin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare.


Përmirësimi i ligjit të mëparshëm bëhet duke sanksionuar dispozita specifike në përputhje Konventën e Vjenës për të Drejtën e traktateve, të cilat do ta bëjnë ligjin më të qartë dhe më të lehtë për t’u zbatuar nga ministritë e linjës, që përfshihen në procesin e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare. Të gjitha këto projektligje dhe projektvendime janë parashikuar në programin e përgjithshëm analitik të projekt-akteve, që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2015.


Më të lexuarat