Autostrada Adriatiko-Joniane, kete vit perfundon studimi i fizibilitetit
Ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane ose të quajtur ndryshe si korridori i kaltër, i cili është një projekt rajonal, për Shqipërinë do të thotë një autostradë e re përgjatë gjithë bregut. Këtë vit pritet të mbyllet tërësisht studimi i fizibilitetit duke i hapur rrugë financimit.
Burimet nga Ministria e Transporti bënë me dije korridori bregdetar që lidh bregdetin Mali i Zi me bregdetin grek, nëpërmjet Shqipërisë, shihet të jetë i financueshëm nga fondet e BE për vendet kandidate. Në tokën shqiptarë disa segmente të projektit janë të ndërtuara, por disa të tjera që duhen nisur rishtas nuk ka as studime fizibiliteti të cilat janë programuar të mbyllën këtë vit për të hapur edhe rrugën e financimeve. Për zhvillimin e këtij projekti Shqipëria është edhe nën presionin e vendeve fqinjë të cilat duhet të paraqiten me projekte të njëkohshme para BE, por Shqipëria duket se, ka pjesën më të vështirë.
Korridori i kalter mbështetet edhe nga Observatori i Transportit të Europës Juglindore (SEETO). Ky korridor është pjesë e zhvillimit rajonal që synon të lidhë bregdetin e Malit të Zi me bregdetin grek. Duke përfunduar në Butrint, kjo rrugë është domosdoshmëri për zhvillimin e turizmit, duke u dhënë turistëve qasje në zona të gjera bregdetare.
Autostrada Adriatiko-Joniane në Shqipëri I tërë projekti i rrugës pritet të ketë një gjatësi prej rreth 350 km dhe mund të ndahet në këto segmente duke filluar nga Veriu: Velipojë – Shëngjin, Shëngjin – Patok, Patok – Durrës, Durrës – Divjakë, Divjakë – Seman, Seman – Vlorë, Vlorë – Dhërmi, Dhërmi – Sarandë, Sarandë – Butrint. Aktualisht ka një studim fizibiliteti dhe projekti paraprak në dispozicion për segmentin Velipojë – Shëngjin, ka një kosto të llogaritur prej 40 milionë dollarësh amerikanë. Autostrada është konceptuar nga ekspertët si lidhja më e shkurtër mes Europës Perëndimore dhe asaj Jugore, duke përshkuar shtetet e Italisë, Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Greqisë. Autostrada Adriatiko-Jonian, që nis nga qyteti Italian i Triestes dhe përfundon në atë grek të Kalamatas do të jetë e gjatë 1,500 km, 350 prej të cilave do të jenë në territorin shqiptar, 450 km në territorin grek, 95 km në Malin e Zi, 80 km në Bosnje, 530 km në Kroaci dhe 55 km në Slloveni.
Përgjatë kësaj autostrade është parashikuar që të ndërtohen 42 tunele dhe 92 ura, duke e kthyer atë ndër projektet më të kushtueshme, ndonëse nuk bëhet e ditur vlera totale, por edhe me akses të drejtpërdrejtë në tregjet europiane, duke ndikuar kështu në forcimin ekonomik të të gjithë rajonit Për pjesën tjetër, nuk ka asnjë studim fizibiliteti në dispozicion. Mendohet që kosto e këtij projekti të jetë mbi 400 milionë euro. Ideja e projektit është caktuar si prioritet në Instrumentin e Paraanëtarësimit (IPA), çka shton shanset për financimin e tij në kuadër të integrimit në BE.