
Del vendimi i ri i qeverise: Ndryshon menyra e menaxhimit te mbetjeve spitalore
Menaxhimi i mbetjeve spitalore do të rregullohet në vijim nga një kuadër i ri ligjor që aktualisht është në fazë konsultimi.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar një vendim lidhur me kërkesat që duhet të plotësohen për menaxhimin e këtyre mbetjeve që aktualisht rregulloren me një rregullore të vitit 2010. Projektvendimi saktëson fillimisht detyrimet që kanë prodhuesit e mbetjeve spitalore çka i bën ata përgjegjës për grumbullimin e veçantë të tyre, ambalazhimin, etiketimin dhe magazinimin si dhe transportin së bashku me trajtimin dhe asgjësimin e tyre. I njëjti vendim përcakton se duhet të merren masa të sigurisë së personelit, përpilimin e një plani menaxhimi, mbajtjen e një regjistri për mbetjet e prodhuara dhe trajtuara dhe në fund edhe shpenzimet menaxheriale dhe dëmet që mund të shkaktohen nga ky aktivitet.
Me projektvendimin e ri çdo prodhues i madh i mbetjeve spitalore duhet të regjistrohet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Po kështu çdo prodhues i mbetjeve spitalore duhet të njoftojë me shkrim Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, brenda 30 ditësh, në rast ndryshimesh në strukturën e pronësisë, emërtimin, vendndodhjen, mënyrën e veprimtarisë ose për ndonjë ndryshim në veprimtarinë e tij, që mund të ketë ndikim në llojin dhe sasinë e mbetjeve spitalore të krijuara.
Drafti i vendimit që është në fazë konsultimi parashikon në një pjesë të tretë të tij të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për menaxhimin e mbetjeve spitalore. Në total kjo përfshin tetë pika që nis me detajet e kontaktit të personave përgjegjës për menaxhimin e mbetjeve përshkrimin e përgjithshëm të mbetjeve që prodhohen siguria dhe trajnimi i personelit procedurat e emergjencës apo masat që merren për zbatimin tërësor të planit. Plani i menaxhimit duhet të rishikohet jo më vonë se çdo tre vjet. Një tjetër element është ai i ndarjes në burim të mbetjeve të rrezikshme dhe atyre jo të rrezikshme, ambalazhimi etiketimi dhe magazinimi i përkohshëm. Po kështu përcaktohet qartë se cilat janë metodat e trajnimet të mbetjeve që detajohen në një shtojcë të veçantë.
Referuar kësaj pike tre janë mënyrat e trajtimit të mbetjeve spitalore sipas projektvendimit:
a) Dezinfektimi: është teknologjia më e përdorur për mbetjet infektive dhe konsiston në reduktimin ose eliminimin e mikroorganizmave që shkaktojnë sëmundje (patogjenët) për të minimizuar mundësinë për transmetimin e sëmundjes. Llojet e kimikateve të përdorura për dezinfektimin e mbetjeve spitalore janë kryesisht kompozimet e klorit, aldehidet, pluhurat ose solucionet me bazë gëlqere, gaz ozoni, kripërat e amonit dhe kompozimet fenolike.
b) Sterilizimi: është përcaktuar si shkatërrimi i të gjithë jetës mikrobike dhe realizohet nëpërmjet autoklavimit/hidroklavimit ose mikrovalëve. Sterilizimi duhet të bëhet me avull në temperaturë jo më të vogël se 130°C dhe në presion jo më të vogël se 1.1 bar.
c) Incinerim: është procesi i oksidimit të thatë dhe i temperaturës së lartë që kthen mbetjet organike dhe të djegshme në lëndë inorganike dhe të padjegshme dhe që rezulton në një reduktim të ndjeshëm të vëllimit dhe peshës së mbetjeve./Monitor
Më të lexuarat








