
Qeveria favorizon Jugun me 23 projekte, vetem 2 per Veriun
Nëpërmjet Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve, në një vendim të datës 9.2.2015, qeveria ka realizuar shpërndarjen e fondeve për vitin 2015 për disa projekte të infrastrukturës vendore, ku ajo që bie më së shumti në sy është pikërisht favorizimi i qarqeve të Jugut të vendit si dhe vetëm një fond për Qarkun e Shkodrës.
Fondi, i cili në total kap shifrën e afërsisht 3 miliardë lekëve (2.862.279.534) është shpërndarë për tetë qarqe. Kryesisht fondet do të shkojnë për projekte të bashkive për rikonstruksione apo dhe rivlerësime të zonave publike. Konkretisht, qarku që ka përfituar edhe fondin më të madh është ai i Fierit.
Fondet sipas qarqeve
Duke u nisur nga qarku që ka dhe fondin më të madh, ai i Fierit me shifrën e 549.405.569 lekë, për këtë qark janë planifikuar katër projekte, nga të cilat dy projekte i ka fituar Bashkia e Lushnjës dhe vetëm nga një ajo e Divjakës dhe e Fierit.
Qarku i dytë me fondin më të lartë është ai i Korçës. Ky ka fituar katër projekte që kapin shumën e 496.741.103 lekë, projekte të cilët dy janë për Bashkinë e Korçës si dhe nga një projekt për Bashkinë e Ersekës dhe Maliqit.
Qarku i Gjirokastrës ka fituar tre projekte, të cilat kapin vlerën e 452.800.358 lekëve, nga të cilat Bashkia e Gjirokastrës ka marrë dy projekte ndërsa ajo e Përmetit vetëm një projekt.
Një fond të konsiderueshëm ka përfituar edhe Qarku i Durrësit, me katër projekte, të cilat kapin shifrën e 361.239.080 mijë lekë, ku nga këto vetëm fondi prej 98.196.400 lekësh është për Bashkinë e Shijakut. Kryesisht këto janë projekte rikonstruksioni si dhe rikualifikimi i hapësirave publike.
Qarku që ka dhe më shumë projekte, por një fond më pak se qarqet e tjerë të sipërpërmendur është ai i Elbasanit. Qarku i Elbasanit ka fituar pesë projekte, të cilat kapin shifrën e 339.836.489 lekë, nga të cilat një projekt është për Bashkinë e Librazhdit.
Një fond të ulët ka fituar Qarku i Vlorës, ku si për çudi asnjë prej tre projekteve që janë në këtë qark, nuk është për Bashkinë e Vlorës, por të tre janë për Këshillin e Qarkut. Konkretisht për këtë qark janë tre projekte janë fituar nga Këshilli i Qarkut të Vlorës, të cilët kapin shifrën e 27.377.599 lekë.
Financimi për veriun
Për Veriun e vendit, qeveria ka menduar që vetëm dy qarqe të përfitojnë nga fondi i përgjithshëm i ndarë nga Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve. Vetëm dy projekte janë financuar për vitin 2015 për Qarkun e Shkodrës dhe të Kukësit. Konkretisht për Qarkun e Shkodrës, vetëm Bashkia e Shkodrës ka fituar një projekt që kap vlerën e 61.847.832 lekë, ndërsa për Qarkun e Kukësit ka vetëm një projekt që do të menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me vlerën 216.000.000 lekë.
Në të njëjtën kohë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka fituar dy projekte me vlerën e 58.032.045 lekë. Ndërkohë që sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, autoritetet kontraktuese, për projektet sipas pikës 1, të këtij vendimi, duhet të kryejnë procedurat e prokurimit publik dhe të lidhjes së kontratës përkatëse për zbatimin e punimeve të ndërtimit deri në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2015. “Për fondet e projekteve të paprokuruara sipas këtij afati, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka të drejtën për të rishqyrtuar financimin dhe për të rishpërndarë fondet e këtij financimi për një projekt tjetër”, thuhet në vendim./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








