Secondary Adv

FMN: Punesimi i te rinjve redukton pabarazine ekonomike ne vendet me te ardhura te uleta

Rritja ekonomike ka ulur pabarazinë në vendet me të ardhura të ulëta dhe në tregjet në zhvillim gjatë viteve të fundit. 

 

Shtuar këtu edhe faktin se në kohë prosperiteti ekonomike, të rinjtë që punojnë ndihmojnë në zvogëlimin e pabarazisë. Por kur rritja ngadalësohet dhe vendet e punës tkurren, më shumë të rinj që nuk punojnë në vendet me të ardhura të ulëta çojnë në një rritje të pabarazisë. Në tregjet në zhvillim, historia është paksa e ndryshme dhe do të shpjegohet më tej pse. Rezultatet në raportin më të fundit të FMN, që studion një grup prej 71 vendesh me të ardhura të ulëta dhe në zhvillim, theksojnë rëndësinë e cilësisë së vendeve të punës dhe politikave të vendit për të mbështetur punësimin, gjë që ndihmon në reduktimin e pabarazisë dhe nxitjen e rritjes gjithpërfshirëse.

 

Një mënyrë e re për të kuptuar situatën

Marrëdhënia midis pabarazisë dhe rritjes afatgjatë është studiuar shumë deri tani, por marrëdhënia midis luhatjeve afatshkurtra të rritjes dhe pabarazisë, si në kohë të mira ekonomikisht ashtu edhe në më pak të tilla, është një minierë e pasur për shumë kërkime. Për të studiuar këtë marrëdhënie, Fondi Monetar Ndërkombëtar përdor një metodë të quajtur analiza e ndërmjetësimit, e përdorur shpesh në psikologji, por rrallë në makroekonomikë. Ideja është të identifikohet se cila është forca shtytëse përse ndodh diçka dhe si lidhen gjetjet. Një avantazh tjetër i madh është se kjo ndihmon në përcaktimin e rëndësisë së forcave të ndryshme lëvizëse pas çdo ndryshimi. Kjo ka rëndësi sepse nëse politikëbërësit e dinë përse ndodh diçka, ata mund të krijojnë politika më të mira për ta trajtuar atë.

 

FMN në studim i përcakton periudhat e një viti si më të mbara ekonomisht ose jo duke përdorur dy kritere: së pari, nëse norma e rritjes së GDP-së për frymë në një shtet ishte pozitive ose negative dhe së dyti dallimi midis kësaj vlere dhe normës mesatare të rritjes së GDP-së për frymë midis 1981 dhe 2014 .Kështu u pa ndikimi e kohëve të mira dhe të këqija ekonomike në pabarazi përmes papunësisë, qasjes në financa dhe shpenzimeve qeveritare. Si rrjedhim, u gjet se në vendet me të ardhura të ulëta dhe ato në zhvillim, papunësia, sidomos tek të rinjtë, është një nxitës i pabarazisë gjatë kohërave të mira dhe të këqija. Në kohë të mira, papunësia e zvogëluar në përgjithësi shpjegonte 41% të reduktimit të pabarazisë në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe në tregjet në zhvillim. 

 

Të rinjtë që punojnë më shumë shpjegonin rreth një të tretën e këtij reduktimi. Në kohë të këqija, 28% e rritjes së pabarazisë është për shkak të rritjes së papunësisë. Pra, rritja e papunësisë tek të rinjtë është një kontribues kyç në rritjen e pabarazisë. Megjithatë, papunësia e të rinjve shpjegon më pak pabarazinë në rritje në kohëra të vështira për tregjet në zhvillim. Rezultatet sugjerojnë se më shumë vende pune krijohen në kohë të mira dhe pak vende pune humbasin në kohëra të këqija në tregjet në zhvillim krahasuar me vendet me të ardhura të ulëta. Ky ndryshim mund të jetë për shkak të niveleve edhe më të larta të vetëpunësimit dhe informalitetit në vendet me të ardhura të ulëta.

 

Rregullimi i politikave

Ekzistojnë dy implikime kryesore të politikave nga gjetjet e FMN. Së pari, cilësia e vendeve të krijuara dhe politikat për të mbështetur punësimin janë të rëndësishme për të reduktuar pabarazinë në vendet me të ardhura të ulëta dhe në tregjet në zhvillim. Gjithashtu, reformat në strukturën e ekonomisë së një vendi për të rritur produktivitetin dhe rritjen afatgjatë duhet të hartojnë politika që reduktojnë dallimet e mëdha në shpërndarjen e të ardhurave. Kështu, meqenëse pjesa më e madhe e efektit të rritjes në pabarazi vjen nga papunësia e të rinjve, qeveritë duhet të hartojnë politika për të rritur punësueshmërinë e punëtorëve më të rinj dhe për të zvogëluar dobësinë e tyre ndaj rënies ekonomike./Atlas.al


Më të lexuarat