Secondary Adv

Projektligj i ri per ndertuesit: Ndryshojne rregullat per dhenien e lejeve te ndertimit

Shqyrtimi i aplikimit për t’u pajisur me leje ndërtimi do të zgjatet me një muaj tjetër, duke shkuar në total në 3 muaj.   

 

Kjo parashikohet në një projektligj të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që është dorëzuar tashmë në Kuvendin e Shqipërisë. Prej muajit shtator 2016 ka filluar nga funksionimi sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit si platforma e vetme për kryerjen e aplikimeve dhe shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi. Sipas qeverisë, amendimet në ligjin aktual paraqiten si një domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e zhvillimit të territorit, që vjen si rezultat i përvojës së deritanishme me zbatimin e këtij ligji. 

 

Gjatë punës në zbatim të këtij ligji, janë evidentuar nevoja për të saktësuar aspekte teknike dhe procedurale në fushën e shqyrtimit të kërkesave për leje ndërtimi. Ndryshimi i parë ka të bëjë me faktin se shtohet përkufizimi i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Sipas tekstit të ri, “Agjencia e Zhvillimit të Territorit është institucion që ka në përgjegjësi zhvillimin e territorit dhe kryen funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Kombëtar të Territorit”. Në këtë kuadër, sugjerohet të shtohet përkufizimi përkatës në ligj. 

 

Së dyti, ka ndryshime në kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit. Në ligjin në fuqi janë parashikuar autoritetet e zhvillimit të territorit në nivel qendror (Këshilli Kombëtar i Territorit) e vendor (kryetari i Bashkisë), si dhe kompetencat e secilit prej tyre në këtë fushë. Njëra nga këto kompetenca i referohet pikërisht shqyrtimit të aplikimeve dhe miratimit të kërkesave të subjekteve të ndryshme për leje ndërtimi. Këshillit Kombëtar të Territorit, duke qenë një organ që e zhvillon veprimtarinë për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, i është njohur e drejta për të miratuar kërkesat për leje ndërtimi të zhvillimeve komplekse, të cilat konsiderohen të tilla, për shkak të veçorisë së zhvillimit, interesit shtetëror dhe/ose kompleksitetit të tij.

 

Por, gjatë shqyrtimit të aplikimeve është konstatuar se, në disa raste, kjo tipologji zhvillimesh kërkon miratimin e kushteve të zhvillimit, të ndryshme nga ato që zbatohen në përgjithësi për rastet. Për këtë arsye, si dhe duke qenë se ligji në fjalë i njeh Këshillit të Ministrave kompetencën për miratimin e rregullores së zhvillimit, në të cilën përcaktohen kushtet/kondicionet e zhvillimit, mbi bazën e të cilit shqyrtohen e miratohen aplikimet për leje ndërtimi, lind nevoja që t’i njihet e drejta Këshillit Kombëtar të Territorit, që, në raste të veçanta, të miratojë rregullore me përcaktime specifike, të cilave do t’u nënshtrohet ndërtimi i objekteve të miratuara prej këtij organi.

 

Së treti, projektligji kërkon një saktësim në procedurat për ndryshimin e resurseve të tokës. Konkretisht, gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ndryshme për leje ndërtimi, është konstatuar se sipërfaqet, në të cilat kërkohet të ndërtohet, nuk gëzojnë statusin “truall”. Në këto raste zbatohen procedurat sipas legjislacionit të posaçëm për ndryshimin e resurseve të tokës. Këto procedura, thjesht formale, zgjasin në kohë, duke krijuar mospërputhje me afatet e shqyrtimit e të miratimit të lejeve, si dhe vonesa për aplikuesit. Ndërkohë, shumë prej këtyre aplikimeve u referohen sipërfaqeve/zonave për të cilat janë miratuar dokumente planifikimi (PDZRK, PPV, PDV) apo dhe leje zhvillimi, ku parashikohen zhvillime, pavarësisht kategorizimit të tokës.

 

Për sa më sipër, sugjerohet që të parashikohet ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke vepruar në këtë mënyrë, në përputhje me parashikimet e vendosura në dokumentet e planifikimit apo lejen e zhvillimit. Një amendim tjetër ka të bëjë me saktësimin e lejes së zhvillimit. Në ligjin në fuqi përcaktohet se leja e zhvillimit është e nevojshme për çdo parcelë dhe jepet me miratimin e planit të detajuar vendor. Në rastin e parcelave, për të cilat nuk parashikohet hartimi i një plani të detajuar vendor, leja e zhvillimit jepet me Planin e Përgjithshëm Vendor. 

 

Ky përcaktim ka nevojë të rishikohet në përputhje me përcaktimet e rregullores së zhvillimit, pasi procedurat për aplikimin dhe miratimin e lejes së zhvillimit janë të mëvetësishme nga miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor. Gjithashtu, për bashkitë që ende nuk kanë plane të përgjithshme vendore, autoritetet vendore të zhvillimit të territorit duhet të miratojnë fillimisht lejen e zhvillimit e më pas lejen e ndërtimit. Në këtë kontekst, parashikimi i ligjit në fuqi, sipas qeverisë, duhet ndryshuar, duke përcaktuar edhe mundësinë e regjistrimit të saj pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim ndryshimin e resursit të tokës sipas parashikimit të lejes./Shqiptarja.com


Më të lexuarat