Zvicra investitori me i madh ne vend: 1.37 miliarde euro deri ne fund te marsit 2019
Që prej tremujorit të fundit 2018, Zvicra ka kaluar si investitori më i madh në vend, teksa në total në vite, investimet nga ky shtet kanë arritur në 1.37 miliardë euro.
Investimet nga Zvicra u rritën me shpejtësi që nga tremujori i dytë 2016, kur filloi ndërtimi i gazsjellësit TAP, teksa ky është shteti ku gazsjellësi ka zyrat qendrore, ndonëse investimet bëhen nga një konglomerat vendesh. Aksionerët e TAP janë britanikja BP (20%); SOCAR (20%) nga Azerbajxhani; Snam S.p.A. (20%) nga Italia; Fluxys (19%) nga Belgjika, Enagás (16%) nga Spanja dhe Axpo (5%) nga Zvicra.
Investitori i dytë më i madh në vite është Greqia, me një stok prej 1.14 miliardë eurosh, si rrjedhojë e investimeve në telekomunikacione dhe banka, por që prej disa vitesh janë në stanjacion. Në vend të tretë është Holanda, me një stok prej 1.1 miliardë eurosh, i ndjekur nga Kanadaja me 976 milionë euro (efekti i Bankers Petroleum, që tashmë u ka kaluar kinezëve), Italia (693 milionë euro), Turqia (578 milionë euro)./Shqiptarja.com