Vende te reja pune per turizmin: 420 punonjes me kontrate te perkohshme ne disa qytete
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura do të punësojë me kontratë të përkohshme 420 punonjës.
Referuar vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, detajimi i numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme, sipas emërtimit të vendit të punës, bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Periudha kohore e veprimtarisë sezonale, që do të kryejnë punonjësit me kontratë të përkohshme, është 2 muaj, 10 korrik–10 shtator 2019. Punonjësit me kontratë të përkohshme do të përfitojnë pagën bazë minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi. Vendimi përcakton se Ministrisë së Drejtësisë, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim” të miratuar për vitin 2019, i reduktohet fondi prej 20 milionë lekësh, në zërin buxhetor “Shpenzime korrente”.
Ky fond do të rishpërndahet në të njëjtën shumë dhe zë buxhetor në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në programin buxhetor “Për mbrojtjen e mjedisit”, për pagesën e punonjësve të kontraktuar. Shpenzimet për pagat e punonjësve të rinj si dhe kostot administrative, të përballohen në vlerën 20 milionë lekë nga fondet buxhetore të Ministrisë së Drejtësisë, të rishpërndara pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe 14 milionë e 700 mijë lekë nga fondet buxhetore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nga programi “Planifikim, menaxhim” (Shpenzime operative). Nga shuma totale, 26 milionë lekë do të jenë për fondin e pagave dhe të sigurimeve dhe 8 milionë e 700 mijë lekë do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve operative./Scan