
Bizneset nuk paguajne dot taksat- DPT: Mbi 5100 subjekte borxhlinj ne 2019
DPT ka publikuar listën e plotë të tatimpaguesve që nuk kanë shlyer detyrimet në afat deri në maj të 2019, të cilave iu është vendosur barrë siguruese dhe hipotekore.
Vetëm gjatë pesë muajve të 2019-s kësaj liste i janë shtuar edhe 5107 biznese të reja, ose sa 67% e numrit të subjekteve që u shtuan në këtë listë për gjithë vitin 2018, duke treguar për një rritje më të fortë të numrit të sipërmarrjeve që nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet ndaj shtetit. Në vitin e kaluar kësaj liste iu shtuan 7588 biznese. Në total stoku i biznese që iu është vendosur një barrë siguruese dhe hipotekore për detyrime të papaguara ka shkuar 26 mijë e 400. Drejtoria Rajonale Durrës ka regjistruar numrin më të madh të borxhlinjve me rreth 1546 biznese në 2019-n me detyrime të papaguara.
Ato përbëjnë 30% të totalit të bizneseve që janë bërë pjesë e listës në 2019-n. Subjekte debitorë të regjistruara në Drejtorinë Rajonale Vlorë për 2019-n ishin 751, apo sa rreth 14% e totalit dhe në DRT Tiranë numëroheshin 737 të tillë. Më pas renditen bizneset e Drejtorisë Rajonale Fier me 529 biznese të cilët I janë shtuar listës së debitorëve me barrë siguruese dhe hipotekore. Ndërsa listës iu shtuan edhe 7 tatimpagues pjesë e Drejtorisë së tatimpaguesve të Mëdhenj, nga 87 që është numri i tyre në total.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga kjo faqe.
Legjislacioni tatimor, e cili shërben si bazë ligjore për marrjen e masave të sigurimit dhe fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimeve ndaj tatimpaguesve që kanë detyrime të papaguara, përcakton se, nëse tatimpaguesi nuk paguan në datën e caktuar detyrimin tatimor, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, detyrimi tatimor i papaguar sigurohet në favor të administratës tatimore mbi të gjithë pasurinë e tatimpaguesit, në masën e nevojshme, për të përmbushur detyrimin tatimor të tij.
Masa e sigurimit të detyrimit tatimor të papaguar mund të jetë, sipas rastit, barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore. Vendimi për të vendosur një barrë siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit bëhet me shkrim nga drejtori i drejtorisë rajonale tatimore apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore. Para vendosjes së një barre siguruese dhe/ose barrë hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit, ky i fundit duhet të njoftohet me shkrim. Njoftimi duhet të përmbajë të gjithë informacionin lidhur me to./Monitor
Më të lexuarat









