40 per qind e energjise u importua ne janar-prill: Mbi 1 milione MWh u ble nga OSHEE
Importet e energjisë përbëjnë mbi 40 për qind të konsumit total në vend përgjatë periudhës janar-prill.
Të dhënat zyrtare tregojnë se prodhimi vendas i energjisë u kufizua në 1.6 milionë MWh ndërkohë që konsumi total ishte 2.7 milionë MWh. Situata e vështirë hidrike e lakuar edhe më herët nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Korporatës Elektoenergjetike Shqiptare tregohet qartë në shifra teksa vetëm prodhimi nga kaskada e Drinit ka qenë në nivel minimale. KESH ka raportuar se për janar-prill ka prodhuar në total 783 mijë MWH dhe nga këto i ka shitur OSHEE-së 759 mijë MWh. Prodhimi i gjeneruesit më të madh në vend zë vetëm 28.9 për qind të totalit të energjisë së konsumuar në vend.
Kompanisë publike të shpërndarjes i është dashur që të blejë nga tregu i hapur mbi 1 milionë MWh ndërkohë që ka blerë energji edhe nga prodhues të tjerë si Ashta apo prodhuesit me përparësi të energjisë. Falë hidrocentraleve që zotërohen nga Kurum apo të tjerë e Banja, Peshqesh apo Fangu është arritur që të prodhohet një sasi që luhatet për secilin mes 103-33 mijë MWH. Për herë të parë në totalin e energjisë së prodhuar është raportuar edhe një grup për fotovoltaikët që duket se kanë zënë një vend modest në totalin e energjisë së prodhuar në vend me 6 039 MWh.
Kjo sasi pritet që në vijim të rritet dukshëm pas aktivizimit të një sërë licencave për parqe fotovoltaikë deri në 2MW ndërkohë që aktualisht është edhe parku fotovoltaik i Akërnisë që nuk dihet se deri në çfarë faze janë diskutimet me kompaninë që u shpall fituese për të ndërtuar projektin. Po kështu një diferencë në prodhim pritet ta bëjë edhe aktivizimi i impianteve vetëprodhuese pas zgjidhjes së ngërçit me udhëzimin që penalizonte këtë kategori. Ky udhëzim tashmë është miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ka caktuar edhe detyrimet për OSHEE për dokumentacionin dhe praktikat që duhet të ndiqen që ky grup vetë prodhuesish të lidhen në rrjet./Monitor