Secondary Adv

Tkurret ndjeshem rritja ekonomike: Vetem 2.2 per qind, me e uleta qe prej 2015

Ekonomia ka tkurrur ndjeshëm ritmet e rritjes në tremujorin e parë të këtij viti, duke u rritur me vetëm 2.21, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

 

Kjo është rritja më e ulët që nga tremujori i dytë 2015. Në tre tremujorët e parë të 2018-s, ekonomia ishte rritur me mbi 4%, që ishte e nxitur kryesisht nga prodhimi i energjisë elektrike, si rrjedhojë e motit të favorshëm me reshje, që llogaritet e tëra si vlerë e shtuar dhe kishte ndikuar në rreth gjysmën e rritjes. Tashmë, që efekti i energjisë ka përfunduar, tremujori i parë i këtij viti ka zbuluar përmasat reale të rritjes ekonomike, që është pothuajse sa gjysma e performancës së vitit të mëparshëm, teksa kontributi i energjisë dhe industrisë ishte negativ prej -0.81%. 

 

Sektorët që kanë nxitur rritjen në tre muajt e parë tashmë janë tregtia, e nxitur nga turizmi (0.51 pikë përqindje) dhe ndërtimi (0.43 pikë përqindje). Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (P.B.B) në tremujorin e parë të vitit 2019 vlerësohet me rritje prej 2,21 %, kundrejt tremujorit të parë të vitit 2018. Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë  degët: Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor me +0,68 pikë përqindje, Aktivitete të pasurive të paluajtshme me +0,51 pikë përqindje, Ndërtimi me +0,43 pikë përqindje, Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia me + 0,36 pikë përqindje. 

 

Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative me +0,33 pikë përqindje. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me +0,26 pikë përqindje, Informacioni dhe Komunikacioni me +0,24 pikë përqindje dhe Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me +0,20 pikë përqindje. Negativisht kontribuoi aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Uji me -0,81 pikë përqindje dhe Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,54 pikë përqindje. Taksat Neto mbi produktet kontribuan pozitivisht me +0,48 pikë përqindje.

 

Rritja në 2018-n

Për gjithë vitin 2018, ekonomia u rrit me 4.06%, duke u përshpejtuar në raport me vitin e mëparshëm, kur zgjerimi ishte 3.84%. Rritja ishte e lartë në tre tremujorët e parë, e nxitur nga moti me reshje ku kontributi i enegjisë varionte midis 1.5 dhe 2.4%. Produkti i brendshëm bruto në tremujorin e katërt të vitit 2018 vlerësohet me rritje prej 3.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në raport me tremujorët e mëparshëm, rritja është shumë më e ulët. Në tremujorin e parë ekonomia u rrit me 4.42%, në të dytin me 4.32% dhe në të tretin me 4.48%. Prodhimi i energjisë konsiderohet i gjithi si vlerë e shtuar, ndaj kontributi në rritje ishte kaq i lartë në 2018-n. Nëse do të hiqej kontributi i energjisë, rritja e ekonomisë “me forcat e veta” do të ishte maksimumi 3%./Monitor 


Më të lexuarat