Secondary Adv

Hidrocentrali i Devollit, projekti me i madh ne rajon, nis puna per rrugen Banje-Gramsh

 


Duke filluar nga dita e djeshme ka nisur puna për ndërtimin e rrugës zëvendësuese Banjë-Gramsh-Ura e Trashovicës për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Devoll. Projekti është një nga investimet më të mëdha jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.


Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto si dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri morën pjesë të mërkurën në ceremoninë e fillimit të punimeve për rrugën zëvendësuese Banjë-Gramsh.
Ministri Haxhinasto në fjalën e tij gjatë ceremonisë tha se, qeveria e sheh zhvillimin e infrastrukturës si një ndër elementët kyç për zhvillimin e vendit. Ai theksoi se ndërtimi i rrugës përfundon në muajin shkurt të vitit 2016. “Ky segment do të lidhë komunitetin e fshatrave me qytetin e Gramshit, duke lehtësuar edhe zhvillimin e këtyre zonave”, deklaroi Haxhinasto.

 


Ministri vlerësoi edhe kompaninë Devoll Hydropower për standardin që do të zbatojë në ndërtimin e këtij segmenti. Kjo rrugë, tha ai, do të krijojë mundësi zhvillimi ekonomik për zonën. Zbatimi i këtij projekti, bëri të ditur Haxhinasto, do të krijojë mundësi punësimi për zonën, pasi në këtë projekt do të angazhohen rreth 600 persona.


Sipas ministrit Haxhinasto, totali i vlerës së kontratës për ndërtimin e rrugës zëvendësuese Banjë-Gramsh llogaritet 33 milionë euro.
Ndërkohë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, duke vlerësuar bashkëpunimin me kompaninë Statkraft, u shpreh se ndërtimi i rrugës shërben si nyjë lidhëse mes Gramshit dhe Elbasanit. Ai vlerësoi se planifikohet edhe ndërtimi i rrugës që lidh Gramshin me Korçën.


Projekti
Gjatësia e rrugës do të jetë 15 .3 km, nga ku 11,7 km do të zëvënndësohen tërësisht dhe 3.6 km do të rikonstruktohen. Rruga do të kalojë përgjatë rezervuarit në 176.50 m do të përmbajë 13 ura në total me gjatësi rreth 1685 metra.
Urat kryesore janë ura e Kacivellit, 520 metra, ura e lumit Oltë 300 m, dhe ura afër fshatit Drizë 190 metra.
Afati i punimeve sipas kontratës llogaritet 14 muaj. Në total buxheti i Ministrisë së Punëve Publike për 2015-ën do të jetë 43 miliardë lekë, që do shpenzohen kryesisht në ndërtim rrugësh dhe ujësjellësash.

Hidrocentrali në lumin Devoll është një nga investimet më të qëndrueshme të kompanisë ndërkombëtare, “Statkraft” për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe është investimi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Ky investim do t’i garantojë vendit tonë një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 20%.


Në bazë të kontratës së koncesionit, autoriteti kontraktues, që sot është Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, është përgjegjësi i vetëm me shpenzimet e tij për ndërtimin e infrastrukturës zëvendësuese në lidhje me projektin e Devollit. Kompania norvegjeze Statkraft ka marrë përsipër ndërtimin e infrastrukturës rrugore zëvendësuese gjatë zbatimit të projektit të ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Devoll.


Më të lexuarat