Projektligji lehtesues per ndertuesit: Ndryshimi i kategorive te tokes i kalon Kadastres
Këshilli i Ministrave po ndërhyn në Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, që ndryshimi i kategorive të tokës të bëhet automatikisht kur regjistrohet pranë ASHK.
Scan ka zbardhur Projekligjin me ndryshimet të dërguar tashmë për shqyrtim në Kuvend, ku një vëmendje e madhe i është kushtuar pikërisht procedurave për ndryshimin e resurseve të tokës. Në relacionin shoqërues të Projekligjit, Këshilli i Ministrave argumenton se gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ndryshme për leje ndërtimi, është konstatuar se sipërfaqet, në të cilat kërkohet të ndërtohet, nuk gëzojnë statusin “truall”. Në këto raste zbatohen procedurat sipas legjislacionit të posaçëm për ndryshimin e resurseve të tokës.
Këto procedura, thjesht formale, zgjasin në kohë, duke krijuar mospërputhje me afatet e shqyrtimit e të miratimit të lejeve, si dhe vonesa për aplikuesit. Ndërkohë, shumë prej këtyre aplikimeve u referohen sipërfaqeve/zonave për të cilat janë miratuar dokumente planifikimi (PDZRK, PPV, PDV) apo dhe leje zhvillimi, ku parashikohen zhvillime, pavarësisht kategorizimit të tokës.“Për sa më sipër, sugjerohet që të parashikohet ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke vepruar në këtë mënyrë, në përputhje me parashikimet e vendosura në dokumentet e planifikimit apo lejen e zhvillimit”, thekson në relacion Këshilli i Ministrave./Scan