Secondary Adv

Shqiperia me numrin me te madh te azilkerkuesve: 96.4 mije kerkesa te refuzuara ne 4 vjet

Shqipëria, e cilësuar si e sigurt nga BE, mbetet ndër vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve, duke u përgjigjur me 3% të totalit të tyre në vlerë absolute.  

 

Shifrat janë më të trishta kur i krahasojmë me vendet e tjera. Në raport me popullsinë, azilkërkuesit shqiptarë ua kalojnë edhe “të arratisurve nga lufta” dhe konflikteve etnike, megjithatë aplikimet e tyre janë më të refuzuarat në vendet e BE-së. 80% e aplikuesve janë më të rinj se 34 vjeç, ndërsa popullsia në moshë pune brenda kufijve të Shqipërisë, po tkurret. Prej vitesh, Bashkimi Europian po përballet me emigrantët nga vendet e Lindjes që po arratisen nga konfliktet civile, por në mesin e tyre është edhe Shqipëria, që tani për tani, nuk është e përfshirë nga asnjë konflikt civil dhe është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

 

Tremujori i parë i 2019-s, për fat të keq, shënoi sërish rritje të numrit të aplikimeve për herë të parë për azil nga shqiptarët, pas një periudhe të gjatë në rënie. Në muajt e parë, numri i aplikimeve për azil ishte 1645 nga 1310 një vit më parë, me një rritje dyshifrore prej 26%. Pjesa më e madhe e aplikimeve të reja janë regjistruar në Francë, rreth 43% e totalit. Duke qenë se shteti francez ndjek politika më pak shtrënguese në lidhje me azilantët, prej kohësh Franca është bërë vendi kryesor i shqiptarëve që kërkojnë azil. 

 

Vetëm gjatë 2018-s, numri i azilkërkuesve në Francë ishte 8,280, nga mbi 19 mijë aplikime që u bënë në të gjithë Bashkimin Europian për atë vit, sipas të dhënave të raportuara nga Eurostat. Raporti i fundit i EASO (European Asylum Support Office), tregon se rreth 42% e aplikimeve të shqiptarëve në vitin 2018 janë bërë në Francë. Prej 2014-s kanë aplikuar për azil 155,803 shqiptarë. Piku i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me 67 mijë e 100 aplikime. Prej atëherë, numri i aplikimeve të reja ka rënë vazhdimisht. Në 2018-n, numri i aplikimeve për azil në raport me një vit më parë u ul me 14%.

 

Por, shqiptarët rezultojnë që janë të refuzuarit më të mëdhenj të Europës. Nga periudha 2014-2018 janë refuzuar gjithsej 96.4 mijë kërkesa nga shqiptarët, që në vlerë absolute është më e larta nga të gjitha vendet e tjera të botës dhe përbën 11% të totalit të refuzimeve nga e gjithë bota. Pas Shqipërisë renditet Kosova me 7% të refuzimeve totale, e ndjekur nga Afganistani dhe Pakistani(6%), Nigeria, Iraku, Rusia (4%). Një ndër shkaqet kryesore pse po ulet numri i aplikimeve të reja është shkalla e lartë e refuzimit nga vendet e BE-së. 

 

Për vitin 2018, sipas EASO janë marrë 18,415 vendime në Shkallën e Parë për aplikimet. Në më shumë se 90% të rasteve, autoritetet e emigracionit të shteteve përkatëse të Bashkimit Europian kanë marrë vendimin për të refuzuar kërkesën. Vetëm 1% e rasteve kanë marrë statusin e refugjatit dhe po aq iu është garantuar një autorizim për të qëndruar për arsye humanitare, ndërsa 5% kanë marrë statusin e mbrojtjes. Shqipëria renditet e teta për numrin e dhënies së një vendimi të Shkallës së Parë. Ndër këto 20 vende, Shqipëria, Gjeorgjia dhe Ukraina kanë përqindjen më të ulët të vendimeve që ju japin azilkërkuesve statusin e refugjatit, ndërsa kanë përqindjen më të lartë të vendimit për të refuzuar kërkesat për azil./Monitor 


Më të lexuarat