
Falet kredia per nje mije fermer qe u preken nga permbytjet
Qeveria do të paguajë 1.5 milion euro kredi të fermerëve që u prekën nga përmbytjet në zonat në jug të vendit, në fillim të muajit shkurt.
Qeveria do të mbulojë të gjitha kreditë e shpërndara fermerëve nga shoqatat dhe unionet e kursim-kredisë, si dhe institucionet jobankare të mikrokreditimit që kanë vepruar në zonat e përmbytura. Fatura që do të mbulohet nga qeveria për kreditë rurale është rreth 1.5 milionë euro dhe paraprakisht mendohet se janë të paktën 1 mijë fermerë, të cilët përfitojnë nga kjo ndihmë e qeverisë.Kjo u bë e ditur nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili ndodhej dje i pranishëm në analizën vjetore të USAID për programin e kreditimit të bujqësisë “Agro Kapital”.
Përfituesit
“Falënderoj bankat dhe institucionet e tjera të kreditimit që, duke u solidarizuar me çka u ndodhi fermerëve nga përmbytjet, arritën të binin dakord për shtyrjen e kësteve të kredisë. Ju bëj me dije gjithashtu, se qeveria ka vendosur të mbartë kreditë për rreth 1000 familje të prekura nga përmbytjet, që me vlerë shkon 1.5 milion euro”, tha në fjalën e tij, ministri Panariti.
Duke u nisur nga kjo, Ministria e Bujqësisë shpjegoi se bëhet fjalë për ato kredi që janë dhënë nga institucionet jobankare, siç janë shoqatat dhe unionet e mikrokreditimit. Nga analiza e kryer rezulton se në zonat e përmbytura, në total janë 1000 fermerë, të cilët kanë marrë kredi të tilla dhe kanë ende pa shlyer rreth 1.5 milionë euro. Duke parë vlerën në total, qeveria ka vendosur që të shlyejë borxhin për të gjithë këta fermerë të përmbytur dhe kredimarrësit do të çlirohen nga ky detyrim. Panariti tha se kjo masë është marrë për të nxitur aplikimin e kredive të reja dhe që familjet në zonat e përmbytura në Jug të vendit të kalojnë situatën e vështirë.
Financimi nga SHBA-ja
Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu, duke folur për familjet e prekura nga përmbytjet, tha se SHBA-ja do të vazhdojë me mbështetjen. “Keqardhje për familjet e shumta shqiptare që kanë humbur fermat dhe bagëtinë e tyre nga përmbytjet. Shpresojmë që ndihma amerikane do t’i mbështesë këto familje e do t’i ndihmojë këto zona. Përmbytjet nuk kanë dëmtuar vullnetin e shqiptarëve. “Agro Kapital” po ndihmon shumë ferma bujqësore. Ka ende shumë biznese që kanë nevojë për ndihma, por nevojiten ligje për ta bërë spektrin e kredidhënies më transparent”, deklaroi Lu.
Projekti i USAID “Agro Kapital” përfshin dhënien e 18.5 milionë dollarëve investime që do të krijojnë 1150 vende të reja pune. Vitin e kaluar, projekti ndihmoi financimin në vlerën 4.7 milionë dollarë për bujqësinë shqiptare. Sipas Panaritit, vitin e kaluar, buxheti i qeverisë për subvencionimin e skemave kombëtare në bujqësi ishte afërsisht 10 milionë dollarë, me mbi 8600 përfitues.
“Agro Kapital” lehtësoi financimin përafërsisht 20% të aplikantëve të suksesshëm në skemën kombëtare të qeverisë. Enio Jaço, drejtor ekzekutiv i projektit, theksoi se si suksesi i “Agro Kapital” i detyrohet përdorimit të zgjidhjeve të reja për ngritjen e urave të komunitetit mes agrobiznesit dhe instrumenteve e institucioneve financiare. “Programi parashikon të lehtësojë në dy vitet e ardhshme 14.8 milionë dollarë financime për agrobizneset shqiptare, të stimulojë rritjen e xhiros së sipërmarrjeve me 28 milionë dollarë dhe të gjenerojë 1,150 vende të reja pune.” Projekti shfrytëzoi konferencën edhe për prezantimin e faqes së internetit (agroweb.org) dhe të një sistemi elektronik të referimit për huat, i cili do të lehtësojë aksesin në financime.
USAID: Ka kredi informale
Ndërkohë, përfaqësues të USAID-it, duke bërë një përmbledhje të situatës së bujqësisë këto pesë vitet e fundit, thanë se ekonomia ka qenë në rënie këto vitet e fundit, ndaj dhe bujqësia s’ka pasur shumë zhvillim. Madje edhe kreditimi, sipas USAID-it, ka qenë në nivelin më të ulët në rajon, edhe për bujqësinë. Megjithëse remitancat kanë mbetur të larta, sipas USAID-it, mundësitë e investimeve kanë qenë të vogla. USAID-i nënvizon edhe faktin se lejet e ndërtimit kanë qenë të bllokuara. “Edhe kredia informale ka ndikuar në këtë situatë. Sektori i bujqësisë duhet të marrë jetë, pasi produktet tona janë shumë të kërkuara. 18% e PBB-së vjen nga bujqësia, e cila është e nënvlerësuar si sektor.
Ndaj ‘Agro Kapital’, si projekt i nisur nga USAID-i, ka si qëllim të rrisë prodhimin, investimet dhe xhirot në konsum”, deklaroi drejtori i projektit. Gjithashtu, u evidentuan problemet kryesore, sipas USAID-it, në bujqësinë shqiptare, të cilat janë: mungesa e aksesit në kapital dhe njohuritë e pamjaftueshme teknike./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








