Ndertimet ne bregdet, nga sot 60 dite afat per blerjen e truallit
Rreth 5 mijë persona që kanë blerë apartamente në zonat turistike të Velipojës, Gjirit të Lalzit, plazhin e Golemit dhe në Malin e Robit, por që nuk disponojnë hipotekën, për shkak se trualli nuk është blerë nga subjekti përkatës, kanë afat deri më 24 Prill për të bërë vetëdeklarimin pranë zyrave të ALUIZNI-t.
Tashmë të gjithë ata që kanë blerë shtëpi në zonat bregdetare por nuk kanë marrë një certifikatë trualli, nga sot mund të aplikojnë për të qenë pronarë të këtyre trojeve duke i blerë ato.
Këta qytetarë kanë pasur mundësi të blinin truallin me një ligj të miratuar në vitin 2009, por që shumë pak prej tyre kanë përfituar. Nga evidentimi në terren i bërë nga Agjencia e Legalizimit, rezulton që deri më tani kanë aplikuar 91 subjekte me rreth 1200 apartamente që përfshihen në këtë kategori. Kështu tha sot kreu i Aluizni-t Artan Lame në një konferencë për mediet. Sipas Lames në pjesën më të madhe të zonave bregdetare ku janë krijuar fshatrat turistikë nuk është marrë parasysh asnjë vendim për krijimin e strukturave turistike të organizuara. Lame po ashtu thotë se qeveria e shkuar ka dhënë pafund leje për ndërtimin e apartamenteve që u janë shitur qytetarëve pa u dhënë atyre asnjë të drejtë pronësie.
“Një pjesë e madhe e subjekteve ndërtues dhe qytetarëve të interesuar, nuk kanë mundur të bëjnë vetëdeklarimet brenda afateve të përcaktuara. Sot po dalim përpara publikut për të lajmëruar hapjen e afatit të ri për paraqitjen nga ana e qytetarëve të kërkesave për blerjen e truallit, që do të mundësonte më pas edhe regjistrimin pranë ZRPP të pronës së tyre si të ligjshme,”- tha Lame. Zonat e evidentuara si më problematike sipas kreut të Aluizni-t janë zonat e Velipojës, Gjirit të Lalzit, Plazhet e Golemit dhe Mali i Robit.