Secondary Adv

Nafta ne Shqiperi me e shtrenjta ne Europe: Taksa perben 60 per qind te cmimit

Ndryshimi i projektligjit për rezervën e naftës dhe rritja e çmimit të karburantit në tregun vendas, si pasojë e po të njëjtit ndryshim kanë shkaktuar jo pak diskutime. 

 

Me sa duket barra mbi mbulimin e shpenzimeve të kalimit të rezervës në varësi të shtetit do rëndojë mbi konsumatorin, i cili pritet të përballet me një tjetër rritje në çmim, duke paguar më shumë për naftën. Por si paraqitet ecuria e çmimeve të karburantit? Pse në vend çmimet janë më të lartat e rajonit? Aktualisht, nafta del në tregun vendas me 75-77 lekë/litër, nëse nuk do të kishte asnjë taksë dhe nëse llogariten këtu madje edhe shpenzimet apo fitimet e kompanive. Nga ana tjetër ajo shitet në tregun me pakicë me rreth 170-177 lekë. Pra plot 50-60% e çmimit të saj janë taksa që paguhen nga konsumatori. 

 

Në të tilla kushte, sipas Global Petrol Price nafta në Shqipëri është ndër 20 më të shtrenjtat në botë dhe më e shtrenjta në Europë bazuar në fuqinë blerëse. Aq më tepër duke shtuar këtu edhe faktin se çmimi nuk justifikohet as nga cilësia, e cila kosiderohet skandaloze, me makina që lëshojnë tym të zi në rrugë dhe me kontrolle apo masa të munguara që kjo të shmanget. Për vite me rradhë tek çmimi i naftës janë shtuar taksat të shumta të fshehta, si skanimi, rilicencimi, taksa qarkullimi, etj. Në të njëtën kohë shumë prej akseve kombëtare po planifikohen të bëhen me pagesë, çka do të nënkuptonte një pagesë dyfishe të qytetarëve ndaj shtetit, njëherë tek nafta, pastaj përsëri tek rruga.

 

Taksat e larta për naftën janë arsyeja kryesore se pse vendi ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve. Në Shqipëri aktualisht nafta taksohet me 37 lekë për litër Akciza; Taksa qarkullimit, 27 lekë për litër (32.4 lekë/litër me TVSH); Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Përveç këtyre vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila, ndërkohë që TVSH totale arrin në 28-30lekë për litër. Por për herë të parë në Shtator të 2018, Shqipëria nisi zbatimin e sistemit të rrugëve me pagesë, përmes dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së segmentit Milot-Morinë, ku tarifat u vendosën 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët, sërish ndër më të lartat në Europë. 

 

Gjatë po të njëjtit vit vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti ka arkëtuar rreth 160 milionë euro, që sipas legjislacionit duhet të ishin përdorur për mirëmbajtjen e rrugëve. Në fakt taksa e qarkullimit, e cila aktualisht përbën 20% të çmimit final të naftës, u shtua në çmim me qëllim arkëtimin e të ardhurave të nevojshme fillimisht për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës dhe më pas për mirëmbajtjen e rrugëve në përgjithësi. Të ardhurat që mblidhen nga kjo taksë janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimet për mirëmbajtjen e rrugëve. Por sipas të dhënave nga Minstria e Insfrastukturës, qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve plot 8,1 miliardë për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur  për të mbuluar emergjencat, për sinjalistike, siguri etj.

 

Pavarësisht shifrave dhe shumave të mjaftueshme për shpenzime të këtij lloji, çmimi i naftës vazhdon ende të rritet. E tillë pritet të jetë edhe tarifa e fundit që pritet t’i bashkëngjitet çmimit të naftës, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të rezervës. Në rastin konkret kjo rritje e çmimit po etiketohet në fakt pikërisht tarifë, pasi e tillë cilësohet nga legjislacioni kur vendoset në funskion të marrjes së një shërbimi. Por çfarë shërbim po marrin qytaterët në rastin në fjalë kur ky i fundit nuk ekziston? Kjo pohohet edhe nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila thekson se edhe Kushtetuta e ndalon vendosjen e taksave dhe tatimeve pa ligj./Atlasi.al


Më të lexuarat