
Gazifikimi i Shqiperise, Aliyev OK per masterplanin
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev, ka miratuar memorandumin për masterplanin e gazifikimit të Shqipërisë. Ky proces do të nisë shumë shpejt dhe do të realizohet nga kompania shtetërore e Azerbajxhanit, SOCAR dhe studimi kap vlerën 3-4 milion euro.
Njoftimi vjen nga agjencia e lajmeve “news.az” ku evidentohet se memorandumi u nënshkrua mes qeverisë së Azebajxhanit dhe asaj të Shqipërisë më 19 Dhjetor të vitit 2014 në Tiranë. “Ministria e Energjitikës e Azerbajxhanit është mandatuar për të zbatuar nenet e memorandumit në pjesën e parë të dekretit ndërsa Ministrisë së Jashtme i është kërkuar të informojë qeverinë shqiptare rreth zbatimit të procedurave të brendshme për përmbushjen e memorandumit” shkruan agjencia azere e lajmeve.
Gazifikimi i vendit tonë do të ketë kosto për buxhetin e shtetit duke marrë në konsideratë se infrastruktura aktuale është jashtë përdorimit dhe duhet ndërtuar nga e para. Por duke marrë në konsideratë interesin e madh që është treguar nga kompanitë ndërkombëtare dhe që janë lider në sektorin energjetik për kryerjen e investimeve në vendin tonë, duket se procesi i gazifikimit të vendit nuk do të sjellë kosto financiare për buxhetin e shtetit dhe qytetarët shqiptarë, pasi vetë këto kompani deklarojnë se janë të gatshme që të përballojnë të gjitha kostot, mjafton që të jenë pjesë e tregut të brendshëm të gazit.
Madje perspektivat e kompanive të huaja marrin në fokus përfitime të shumta që mund të vijnë nga shpërndarja e gazit në vendet e Europës Jug-Lindore si edhe rritjen e sigurisë së Eurozonës me furnizim gazi të lëngshëm nëpërmjet gazsjellësit Trans – Adriatik.
Sipas vetë konsorciumit të TAP, transmetimi i gazit nëpërmjet kësaj vepre do të nisë në vitin 2020. Zbatimi i strategjisë së gazifikimit të vendit nga ana e qeverisë shqiptare parashikon tri faza të zhvillimit të saj. Në pesë vitet e para pas përfundimit të gazsjellësit, rreth 150 mijë metër kub gaz në vit do të përdoren për industrinë e rëndë dhe të lehtë duke mundësuar uljen e kostove nga përdorimi i energjisë elektrike. Gjithashtu, pjesë e fazës së parë të projektit për gazifikimin e vendit do të jetë kthimi i përdorimit të kapaciteteve të TEC-it të Vlorës nga prodhimi i energjisë me anë të naftës në gaz.
Një situatë e tillë do të sjellë përfitime të shumta për sistemin energjetik shqiptar. Faza e dytë dhe e tretë e gazifikimit të vendit parashikon ndërtimin e linjave të shpërndarjes si brenda vendit, ashtu edhe jashtë. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Energjisë, nevojat për konsum familjar të gazit arrijnë në rreth 100 mijë tonë në vit.
Me pak fjalë, çdo familje shqiptare, nga rreth 400 mijë të tilla sipas të dhënave të Censusit të vitit 2011, do të konsumojë në vit 0.25 ton litra gaz në vit. Konsumi i gazit do të përdoret për ngrohje dhe gatim, duke hequr dorë nga përdorimi i energjisë elektrike, ndërsa këta faktorë zënë më shumë se 70% të faturës së energjisë elektrike të një familje shqiptare.
Ndërsa çmimi i gazit ka një vlerë mesatare prej 70 lekë litri, pa përshirë këtu koston e shërbimit. E thënë ndryshe, fatura energjitike e familjeve shqiptare do të ulet me 70% dhe do i shtohet vlera e shërbimit dhe furnizimit me gaz.
Rreth 1500 lekë do të shpenzojë një familje shqiptare në muaj, për të zëvendësuar 70% të konsumit të energjisë elektrike. Përfitimi ekonomik është mëse i qartë, kur shpenzimi për energjinë elektrike tejkalon vlerën e 3500 lekëve në muaj.
Më të lexuarat








