Secondary Adv

Falet borxhi 27 miliarde leke i energjise per institucionet shteterore

 

Nëse për qytetarët qeveria urdhëroi shlyerjen e çdo qindarke borxh ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për institucionet shtetërore do të ndiqet skema e faljes, ose siç njihet ndryshe shuarja me kompensim.


Qeveria ka vendosur të shuajë borxhet e energjisë që institucionet shtetërore kanë ndaj kompanive të sistemit elektroenergjitik, por dhe ato që vetë kompanitë kanë ndaj njëra-tjetrës apo ndaj qeverisë, siç përshembull mund të jetë rasti i KESH ndaj Ministrisë së Financave, me miliona euro për blerje energjie. Sipas këtij vendimi qeverie, miratuar me datë 11 shkurt dhe botuar dje në Fletoren Zyrtare, bëhet fjalë për borxhet e akumuluara deri me datë 31 dhjetor të vitit që lamë pas, pra 2014. Ndërsa shumat e detyrimeve që falen, në të vërtetë janë kolosale.


Institucionet buxhetore dhe institucionet që financohen nga buxheti, të përcaktuara në aneksin nr.1, të këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij, kanë rakorduar detyrimet e energjisë elektrike, në kolonën “total debi e pranuar”, të krijuara deri më 31.12.2014.
Vendimi i qeverisë thotë se këto detyrime ndaj shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të shuhen deri në vlerën 9 000 000 000 lekë. OSHEE, sh.a.-ja, në cilësinë e kreditorit, jep pëlqimin për këtë shuarje. Po ashtu, detyrimet e krijuara deri më 31.12.2014, të OSHEE ndaj KESH për energjinë e lëvruar nga KESH për furnizimin e konsumatorëve tariforë, të përfshira në aktrakordim do të shuhen deri në vlerën 9 000 000 000 lekë.
Nëpërmjet këtij vendimi, qeveria lehtëson dhe KESH në borxhet që kjo kompani ka ndaj Ministrisë së Financave. Vendimi përcakton se detyrimet e krijuara deri më 31.12.2014, të KESH ndaj Ministrisë së Financave për huatë e marra nga KESH për të cilat Ministria e Financave ka hyrë në marrëdhënie nënhuazimi, garancie shtetërore apo kredidhënieje, të përfshira në aktrakordim do të shuhen gjithashtu deri në vlerën 9 000 000 000 lekë.


Veprimet e institucioneve
Ky vendim dhe akti i akordimit, i nënshkruar ndërmjet palëve, përbëjnë dokumentacionin bazë financiar për kryerjen e veprimeve kontabël dhe mbylljen e llogarive të pagueshme (kreditorët) apo të arkëtueshme (debitorët). Pas përfundimit të veprimeve kontabël, të gjitha institucionet e varësisë do të njoftojnë titullarët e tyre për shumën e detyrimit të shuar dhe mbylljen e llogarive. Titullarët e ministrive/institucioneve qendrore, që kanë në varësi institucionet e përfshira në skemë duhet të njoftojnë Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave për shumën e detyrimit të shuar për çdo institucion varësie.


Ndërsa bashkitë dhe komunat do të njoftojnë ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave për shumën e detyrimit të shuar për çdo institucion varësie. OSHEE dhe KESH do të duhet të njoftojnë Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Financave për shumën e detyrimit të shuar dhe mbylljen e llogarive.


Më të lexuarat