
Prezantohet projekti per Universitetin e ri te Arteve-Veliaj: Nje hapesire e denje akademike
Universiteti i Arteve do të kthehet jo vetëm në një hapësirë të denjë akademike, por edhe në një pol kulturor të rëndësishëm, që nxit kreativitetin dhe gjeneron kulturë.
Kështu deklaron Bashkia e Tiranës e cila në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Kulturës prezantuan sot projekt-idenë për Kampusin e ri Universitar të Universitetit të Arteve, një tjetër premtim i mbajtur ky ndaj studentëve në kuadër të Paktit për Univeristetin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se ky projekt është treguesi më i qartë se e gjithë kjo punë nuk është çështje fushate elektorale, por një pasion për të punuar për Tiranën. “Mund të ketë njerëz që thonë, ore këta me çfarë merren në pikë të vapës, zgjedhjet kanë mbaruar, a nuk duhet të mbaronte edhe gjithë kjo gjë politike? Por, besoj që është dëshmi e qartë që nuk është punë fushate, nuk është punë yryçi i atyre 30 ditëve ku duhet impresionuar mileti me projekte dhe makete.
Bëhet fjalë për një pasion që e ndajmë të gjithë bashkë, që quhet qyteti i Tiranës. Unë e ndaj edhe për shkak të detyrës, por besoj që të gjithë ne që e kemi lidhur jetën me këtë qytet, kemi hedhur rrënjë në këtë qytet, e shohim të ardhmen në këtë qytet”, tha Veliaj. Ai shprehu besimin se siç ka treguar koha, ndonëse në fillim ka pasur skeptikë dhe debate, produkti final ka dalë fantastik. Kryebashkiaku deklaroi se edhe pse nga ky universitet kanë dalë shumë talente që na nderojnë kudo në botë, infrastruktura lë për të dëshiruar. Ndaj, theksoi Veliaj, edhe projekti i ri nuk është një listë dëshirash, por një plan konkret për t’u implementuar.
“Kush ka punuar ose kush si puna ime i ka rënë rruga ose mundësia për të hyrë e kupton që përtej fasadës edhe produktit më të shkëlqyer “made in Albania” që ka dalë nga këto dyer, në fakt lë shumë për të dëshiruar gjendja e ambienteve fizike. Këtu bëhet fjalë për të trajtuar fizikisht shtesën e ambienteve. Nuk është një listë dëshirash, por është në plan për t’u implementuar; ka të bëjë me shtesën që do t’i bëjmë kampusit ose asaj që është godina kryesore e Akademisë së Arteve”, tha ai. Kreu i Bashkisë nënvizoi se deri më tani janë shpërndarë mbi 20 mijë karta studenti dhe janë mbi 100 biznese që i janë bashkuar kësaj nisme.
Veliaj tha se menjëherë pas përfundimit të tre godinave të fundit në për t’u rikonstruksuar në Qytetin Studenti, puna do të fillojë për Kampusin e Ri Universitar për Universitetin e Tiranës. Projekti i ri evidenton vlerat më të mira arkitekturore dhe historike. Universiteti i arteve është një prej tre objekteve të projektuara nga Bosio në sheshin “Nënë Tereza”. Ngritja e Kampusit të ri do të ofrojë ambiente të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, jo vetëm një sallë historike shfaqjesh të rikonstruktuar, por edhe salla të reja, që do t’i shërbejnë jo vetëm procesit studimor, por do të shtojnë hapësirat performuese për të gjithë artistët./Balkanweb
Më të lexuarat








