Secondary Adv

Biznesi i madh ul ndjeshem kerkesen per kredi: Preferojne financim nga tregu informal

Biznesi i madh ka ulur ndjeshëm kërkesën për kredi në banka, sipas shifrave të BSH, të publikuara në kuadër të vrojtimit të aktivitetit kreditues në 3 mujorin e dytë të vitit.

 

Balanca e kërkesës për kredi nga bizneset e mëdha është negative prej -12.9, shumë më e lartë se mesatarja e gjithë bizneseve prej -4.5. Një balancë negative tregon rënie të kërkesës së kredi. Për bizneset e mesme dhe të vogla, kjo balancë është pozitive prej 5.4, çka nënkupton që sipërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë shtuar kërkesën për të marrë hua nga bankat. 

 

Bizneset, kryesisht të mëdha, kanë ulur kërkesën për kredi për dy arsye:

Së pari, ato kanë më pak plane për investime. Balanca e huasë për investime ishte negative prej -18.4, e dyta më e ulëta në dy vitet e fundit, pas tremujorit të tretë 2018. Negativisht ka ndikuar dhe klima politike, teksa indeksi i besimit të biznesit u shfaq i përkeqësuar në tremujorin e dytë. Së dyti, bizneset rezultojnë të financohen me burime të brendshme, një tendencë që ka rezultuar e lartë për katër tremujorët e fundit, me një balancë mbi -10 në tremujorin e fundit 2018 dhe të parin e këtij viti dhe -7.4 në tremujorin e dytë. Vlerat negative të kësaj balance tregojnë se ky tregues ka ndikuar negativisht në kërkesën për kredi. 

 

Burimet e brendshme të kompanisë vijnë nga likuiditetet që ajo mund të ketë gjeneruar, ose nga huaja informale. Por, ndërkohë, biznesi rezulton që të ketë shtuar kërkesën për kredi për likuiditete, ndryshe nga ajo për investime. Huaja për ekonominë ka qenë e dobët në dy vitet e fundit duke pasur një rritje reale, (duke përjashtuar efektin e kursit dhe fshirjen e kredive) rreth 5%. Në një takim të fundit me drejtuesit e bankave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se Banka e Shqipërisë ka marrë hapa për hartimin e një plani konkret masash, që synon përmirësimin e sasisë dhe të cilësisë së kreditimit. 

 

Guvernatori Sejko u shpreh se kreditimi është një proces me rëndësi të ndërsjellët për të gjitha palët, ku një përqasje sa më aktive ndaj tij do të mundësojë një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë, jo vetëm për industrinë bankare, por dhe për ekonominë e vendit. Në këtë drejtim, Guvernatori theksoi rëndësinë e vënies në jetë të një plani masash, synimi i të cilit është të rigjallërojë procesin e kreditimit të shëndetshëm në vend. Ky plan masash i hartuar tashmë nga Banka e Shqipërisë iu është dërguar për konsultim bankave tregtare në vend. Përfaqësuesit e bankave, nga ana e tyre, mbështetën hartimin dhe zbatimin e këtij plani, i cili do të shërbejë si një platformë ku të gjithë aktorët e tregut pritet të japin kontributin e tyre për të nxitur procesin e kreditimit./Monitor 


Më të lexuarat