Hiqen 20 leje minerare, shkak shfrytezimi pertej normave
20 leje minerare për nxjerrjen kromit dhe mineraleve të tjera janë hequr plotësisht apo pjesërisht nga ana e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Shfrytëzimi i pasurive natyrore të vendit dhe kryesisht lëndëve minerare prej vitesh është në një kaos të vërtetë, duke sjellë informalitet të lartë në sektor.
Situata e krijuar ka bërë që, burimet natyrore të vendit të shfrytëzohen pa kriter, kontrolli i qeverisë është i ulët dhe transparenca nga të ardhurat e sektorit e vagët. Në Bulqizë, shpesh herë ka mbizotëruar ligji i më të fortit në nxjerrjen e kromit, ku kompani pa përvojë në sektor kanë përfituar të ardhura të shumta nga tregtimi i mineraleve, ndërsa qeveria e ka pasur të pamundur të mbledhë të ardhurat nga kompanitë.
Me qëllim përmirësimin e kësaj situate dhe nxjerrjes së sektorit nga errësira ku është zhytur janë bërë disa herë tentativa për formalizimin e kompanive të nxjerrjes së minerareve. Urdhri i fundit i lëshuar nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, revokon lejet minerare për 20 kompani për shkak të mbivendosjes së tyre. Ideja është që, një zonë e caktuar duhet të shfrytëzohet vetëm nga një subjekt, ajo që ka fituar lejen e para dhe jo nga kompani të tjera që mund të kenë nxjerrë më vonë leje shfrytëzimi të zonës së caktuar. Lejet minerare janë revokuar pas një kontrolli që kanë kryer nga strukturat monitoruese të ministrisë gjatë dy muajve të parë të vitit.
Janë rishikuar të gjitha lejet dhe licencat e lëshuara në periudhën 2005 - 2013, ku abuzimet kryesore janë hasur në zonën e Bulqizës. Shmangia e mbivendosjes së lejes së shfrytëzimit pritet të sjellë një siguri më të madhe si për investitorët, ashtu edhe për vetë minatorët. Ndërsa në proces revokimi janë edhe 47 subjekte të tjera të shfrytëzimit të minierave për shkak se nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktore për pagesën e garancive financiare të rehabilitimit të mjedisit, investimit apo edhe përfundimit në kohë të lejes së shfrytëzimit.