Secondary Adv

Zihen serish hapesirat publike te Shkembi i Kavajes: Qytetaret fajesojne bashkine

Sipërmarrësit privatë zaptojnë sërish hapësirat publike te Shkëmbi i Kavajës, ku Task Forca e Bregdetit para një jave ushtroi kontroll intensiv duke liruar mbi 15 plazhe publike. 

 

Banorët shprehen të revoltuar në lidhje me situatën. Agjencia Telegrafike Shqiptare më datë 17 korrik 2019 vëzhgoi nga afër aksionin e Task Forcës së Bregdetit drejtuar nga Prefektura e Durrësit, për qarkun Durrës e cila zhvilloi një kontroll intensiv në territorin e bregdetit të Durrësit dhe nga ku u liruan mbi 15 hapësira publike të zaptuara nga privatët. Por, një javë më vonë, fatkeqësisht sipërmarrësit kanë arritur të bllokojnë sërish disa prej këtyre hapësirave të liruara nga Taks Forca e Bregdetit në Durrës. Te Shkëmbi i Kavajës, u vu re se sërish sipërmarrësit kanë zaptuar zonat publike duke lënë një hapësirë fare të vogël për banorët e zonës, apo pushuesit që nuk duan të marrin shtrate plazhi. 

 

“20% nuk është mbajtur asnjëherë. Para një jave që erdhi Task Forca e turizmit, gjoja në pjesën time, që më takon 20%, i thanë pronarit të lokalit të hiqte një rresht, ai e hoqi një rresht në prezencë të policisë, por kur iku policia, kemi sërish zonën e bllokuar dhe jemi ku ishim përpara. Atëherë kjo do të thotë se duhet të boshatiset plazhi dhe të shesim shtëpitë, të ikim ne pensionistët dhe të bëjnë qejf privatët”, tha një zonjë, e cila vlerësoi ardhjen e “Task Forcës” më datë 17 korrik. “Erdhi Task Forca u bë hapja e hapësirës, pastaj u bllokua sërish, dhe ngelëm siç ishim. Ja plazh privat është”, tha një zotëri tjetër. Një tjetër zotëri drejtoi gishtin nga Bashkia. “Ku ka në botë plazh pa hapësirë publike, Janë fajet e Bashkisë, ajo duhet të zbatojë ligjin”, tha ai./ata


Më të lexuarat