
Bilanci negativ i Tatimeve: Ulja e pragut te TVSH per biznesin e vogel nxiti evazionin
Më se një vit më parë, qeveria mori vendimin që të ulte pragun e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për bizneset nga 5 në 2 milionë lekë.
Ky vendim preku direkt rreth 13 mijë biznese, që u futën në skemë, ndërsa rreth 60 mijë të tjera ishin potencial për të hyrë, pasi kufiri vjetor i qarkullimit vjetor që të bënte subjekt TVSH-je ishte aq i ulët sa mjaftonte deklarimi i 5,500 lekëve në ditë për të kaluar në TVSH. Ky vendim u kundërshtua hapur nga Shoqatat e Biznesit të Vogël, e cila shqetësohet për efektet që do sillte të bizneset barra e shtuar e taksës dhe kostove të tjera administrative, ekspertët dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ky i fundit theksoi disa herë se përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha.
Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave. Por, qeveria nguli këmbë se arsyeja nuk ishte të rriste barrën për subjektet e vogla, por që të disiplinonte zinxhirin e tregtisë dhe të nxiste lëshimin e faturave. Një vit më pas, të dhënat e buxhetit faktit tregojnë se shqetësimi i FMN-s dhe ekspertëve u vërtetua, ndërsa tregu jo vetëm nuk u disiplinuar, por përkundrazi evazioni u rrit. Të ardhurat nga TVSH e brendshme për 6 mujorin e parë të vitit ishin rreth 17 miliardë lekë, me një rënie të ndjeshme prej 12.7% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare.
Në raport me planin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 20% më pak, ose 3.7 miliardë lekë të munguara në buxhet në raport me parashikimin fillestar. TVSH-ja ka qenë zëri me rendimentin më të keq në buxhet në 6 muajt e parë të vitit dhe ka qenë një nga arsyet kryesore të mos realizimit të planit me rreth 30 milionë euro për periudhën janar-qershor 2019. Teksa rreth 60 mijë subjekte të vogla tentojnë të mos hyjnë në TVSH, pasi një gjë e tillë do u rriste kostot, kontabilistët pohojnë se në shumë raste ata nuk pranojnë të marrin fatura, duke rritur informalitetin. Luan Bregasi pohon se ne bizneset përballeni me një problem të madh që ka të bëjë me rezistencën që ndiejnë ne subjektet e vogla për të marrë faturën.
“Biznesi i vogël u fut në sistem që të nxirrte situatën reale për biznesin e madh. Në fakt, ne po hasim probleme që ky biznes i vogël të pranojë faturë për efekt regjistrimi”. Bregasi propozon që biznesi i vogël të futet nga zero jo që të paguajë, por të regjistrojë. Rënia e të ardhurave nga TVSH-ja ishte dhe një nga arsyet që nxiti financat që të ashpërsonin masat dhe kontrollet anti-informalitet. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj deklaroi së fundmi se pati një intensifikim të aksionit antiinformalitet, pas rezultateve të 6 mujorit të parë. “Në 6 mujorin e parë kishte mosrealzim të të ardhurave me planin, ndërsa me faktin e një viti më parë ishin në rritje”, tha ajo, duke shtuar se të dhënat e TVSH bruto që janë me rënie nuk korrespondojnë me rritjen e bizneseve dhe të sektorëve./Shqiptarja.com
Më të lexuarat








