Secondary Adv

Terhiqet QKB: Shtyhet afati i dorezimit te bilanceve deri me 30 shtator

Teksa bizneset po hasen me shumë vështirësi në dorëzimin online të bilancëve sot në afatin e fundit të 31 korrikut, burime nga QKB pohuan që nuk do të ketë penalitete.

 

Ky ishte viti i parë, kur në bazë të ligjit të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj. Bizneset janë ankuar vazhdimisht se sistemi është shumë i ngadaltë dhe faqja donte kohë të merrte dokumentet edhe gjatë qershorit e korrikut, ndërsa sot sistemi u bllokua. 

 

Qendra Kombëtare e Biznesit njoftoi se për shkak të mbingarkesës nuk do të aplikohen gjoba për ata që kanë marrë një numër aplikimi. “Lidhur me detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018, ju njoftojmë se subjektet të cilët kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 31.07.2019, (ora 24:00) dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative në bazë të nenit 74, pika 3 e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e Biznesit”. Ndëkohë të gjithë këto subjekte që kanë aplikuar, por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin për arsyen e lartpërmendur duhet të përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datës 31.07.2019, dhe të dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2018 deri në datën 30.09.2019”, thuhet në njoftim./Monitor


Më të lexuarat